Asnjë thirrje nuk dëgjohet prej qytetarëve të Pejës. Sikur edhe ditët e kaluara, ndalimi për lëvizje prej orës 10:00 deri në ora 16:00 respektohet, por vetëm pak minuta pas orës 16:00 rrugët e qytetit vërshohen në qindra e qindra automjete, si në kohën e sezonit veror.
Edhe ditët e kaluara pamja e rrugëve ka qenë e njëjtë pas orës 16:00 dhe për shkak të rrezikut të madh nga qarkullimi i gjithë këtyre automjeteve në kohën e pandemisë me koronavirus dhe rastit të parë të shfaqur të enjten me koronavirus në këtë komunë, kreu i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thirrur qytetarët që të mos dalin pa nevojë në kohën e lirisë së lëvizjes, transmeton KOHA.
“Sot pas orës 10:00, rrugët e qytetit u zbrazën nga daljet e panevojshme, për çka e përgëzoj dhe falënderoj çdo qytetarë. Kërkoj nga të gjithë ju, që njëjtë sikurse sot në mëngjes, të vazhdoni edhe pas orës 16:00 duke mos dalë në grumbuj, por dilni sa më pak anëtarë të familjes dhe vetëm nëse keni nevojë. Përndryshe, do të rrezikohet siguria dhe shëndeti ynë në këto ditë kritike”, ka thënë Muhaxheri.
Me një thirrje të përbashkët publike që të mos dalin, ju kanë drejtuar qytetarëve të kësaj komune, Komuna e Pejës, Instituti Rajonal i Shëndetit Publik në Pejë, Policia e Kosovës në Pejë, Spitali i Përgjithshëm në Pejë, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Pejë dhe Prokuroria Themelore e Pejës.
“Ju drejtohemi me lutjet më të mëdha që prej orës 16:00-20:00 të evitoni maksimalisht daljet e panevojshme në qytet sepse po rrezikoni vetën tuaj dhe të gjithë ata që ju rrethojnë. Ju lutemi t’i përmbaheni rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe mos dilni në grumbuj gjatë orëve të lira të lëvizjes. Grumbuj të njerëzve po rrezikojnë veten dhe të gjithëve! Ju lutem kini kujdes se mund të shkaktoni shpërthim epidemik në qytet. Ne punojmë pa ndërpre për sigurinë dhe shëndetin tuaj këto ditë kritike”, thuhet në këtë thirrje të gjitha institucioneve në këtë qytet.
{gallery}