Arbëri

Auditori gjen se Komuna e Pejës angazhoi 97 punëtorë pa konkurs apo procedurë formale

Zyra Kombëtare të Auditimit, gjeti se kjo komunë gjatë vitit 2019 kishte angazhuar 52 punëtorë për Shërbime të Veçanta pa asnjë procedurë formale apo të thjeshtësuar të rekrutimit, që i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet. Njëjtë kishte ndodhur edhe gjatë vitit 2018, kur kjo komunë kishte angazhuar 45 veta për shërbime të veçanta pa asnjë procedurë formale të rekrutimit.

Madje, sipas auditorit, në pesë raste komuna brenda vitit ka lidhur dy marrëveshje me të njëjtit persona, duke marrë shërbimet e njëjta për një periudhë më të gjatë se gjashtë muajsh brenda vitit sa lejohet me Ligjin e Shërbimit Civil.

Për këto punësime dhe mënyrën sesi janë punësuar individët, ka ngritur shqetësime subjekti opozitar në Pejë, Lëvizja Vetëvendosje, sipas së cilës punësimet që po ndodhin në këtë komunë pa procedura të rekrutimit, nuk ndodhin as në sektorin privat.

“100 veta brenda dy vjetëve me i marrë në këtë formë, mesatarja nëse i paguan nga 400 euro, jemi duke folur për diku rreth gjysmë milioni euro për dy vjet në punësime. Mendoj që kjo është shqetësim për qytetarët për arsye se nuk e dimë a janë duke i mbajtur militantët e partisë së tyre të punësuar, apo për çfarë qëllimi i bëjnë gjithë këto punësime”, ka thënë Bashkim Nurboja, anëtar i Kryesisë së VV-së në Pejë.

Nurboja shtoi se punësimet pa procedura të rekrutimit janë shkelje e të gjitha ligjeve të punësimit në Kosovë dhe siç shtoi ai, në momentin që ka punësime pa procedura nënkupton që po shkelet edhe Kushtetuta, pasi sipas tij, qytetarët me Kushtetutë kanë të drejtë të barabartë për punësim.

Por në komunë i mbrojnë punësimet me kontratë mbi vepër që i kanë bërë gjatë dy vjetëve të kaluar, me arsyetimin se gjatë asaj kohe kishte nevojë për punëtorë shtesë. Por pse nuk kanë zhvilluar procedura rekrutimi, kreu i Komunës nuk ka sqaruar.

“Disa prej të punësuarve domethënë kanë qenë pikërisht me i eliminua të gjeturat e auditorit, domethënë regjistrimin e pronave, domethënë 30 për qind të pronave është dashtë me u riregjistru ose me u ritestu. Për këtë arsye kanë qenë të angazhuar punëtorë me kontratë mbi vepër. Kanë qenë edhe disa kontrata që ju kanë dashtë Komunës së Pejës”, ka thënë kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Për dallim nga dy vjetët e kaluar, sivjet siç pohoi Muhaxheri, Komuna nuk ka angazhuar asnjë punëtor me kontratë mbi vepër, dhe se sipas tij ai e ka ndaluar që ata të angazhohen më.

Sipas drejtorit të Financave, Jeton Abazaj, rroga mesatare e të angazhuarve për shërbime të veçanta ishte 370 euro dhe se siç pohoi ai, sivjet as nuk është punësuar kush e as nuk ndodhet në listën e pagave asnjëri prej atyre që ishin të angazhuar.