Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës, në raportin e saj për Pasqyrën Financiare Vjetore në Komunën e Deçanit për vitin e kaluar, në konkluzionin e përgjithshëm mbi qeverisje, ka gjetur një numër të madh të dobësive të qeverisjes brenda komunës.
Veçanërisht auditori ka konstatuar serish nivel të ulët të zbatimit të rekomandimeve nga viti paraprak.
Raporti i auditimit për vitin 2018 për Komunën e Deçanit kishte rezultuar me 18 rekomandime kryesore, prej të cilave, sipas ZKA-së deri në fund të auditimit për vitin 2019, tetë rekomandime janë zbatuar, dy janë mbyllur si të pa zbatuara, një ishte në proces dhe shtatë nuk janë zbatuar ende.
Edhe për vitin 2019, auditori i përgjithshëm ka renditur 14 rekomandime për gjetjet gjatë auditimit të kryer të pasqyrës financiare. Njëra prej rekomandime, si gjetje e njëjtë sikur edhe në vitin 2018, prek mangësinë në angazhimet e punëtorëve me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta.
Bazuar në nenin 12, pika 4 të Ligjit Nr.03/L-149 për Shërbyesit Civil, sipas autidorit emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj duhet të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta” të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit. Auditori ka theksuar se angazhimet e tilla lejohen të bëhen vetëm për punë specifike dhe në kushte të veçanta e të paparashikuara.
“Gjatë vitit 2019 Komuna kishte angazhuar 80 punonjës përmes Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta në drejtori të ndryshme. Për 72 punonjës komuna nuk ka zhvilluar ndonjë procedurë formale (të thjeshtëzuar) të rekrutimit”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Procesi i angazhimit të personave me marrëveshje të veçanta, sipas gjetjes së auditorit, nuk është menaxhuar nga njësia e burimeve njerëzore, por nga zyra e kryetarit të Komunës.
“Kanë munguar kërkesat nga njësitë kërkuese për nevojat e departamenteve për staf shtesë, prandaj konsiderojmë se nuk është bërë një vlerësim i drejt i nevojave për angazhimin e tyre”, thuhet në raportin e ZKA-së. Sipas këtij raporti, angazhimi i personave nuk është bërë për shërbime të veçanta apo detyra specifike në kuptim të ligjit, por për pozita të rregullta të punës.
“Kjo ka ndodhur për shkak të numrit të kufizuar të stafit të aprovuar me buxhet dhe mosrespektimin e kërkesave ligjore. Ndikimi i angazhimit të stafit me MSHV pa kërkesa nga njësitë kërkuese dhe pa procedura të thjeshtëzuara rrezikon punësimin e personave jokompetent në mungesë të konkurrueshmërisë”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare e Auditimit, e cila i ka rekomanduar kryetarit të Komunës që të sigurojë aplikimin e procedurave të thjeshtuara të rekrutimit të stafit për MSHV, si dhe të sigurojë se kjo formë e angazhimit të aplikohet vetëm për punë specifike dhe vetëm atëherë kur kërkesat janë të arsyeshme nga njësit kërkuese.
KOHA ka kontaktuar drejtorin e Administratës Komunale të Deçanit, Jashar Dobraj, i cili konfirmoi se të gjithë të angazhuarit me Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta janë angazhuar përmes zyrës së kryetarit.
“Mirë kishte qenë me kontaktu zyrën e kryetarit, sepse gjitha kontratat mbi vepër janë nënshkruar nga kryetari”, tha Dobraj.
Rreth këtyre punësimeve, KOHA ka kontaktuar edhe kreun e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili ishte i zënë dhe kërkoi që të kontaktohet pas gjysmë ore, por pastaj ai nuk ka qenë më i qasshëm deri në momentin e raportimit.