Drejtori për parandalimin e korrupsionit në Agjencinë Kundër Korrupsion, Afrim Atashi, deklaroi se të enjten është mbyllur afati për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët e lartë, derisa sipas tij, çdo vit, afro 5 mijë zyrtarë e kryejnë këtë proces.
Ai tha në DESK-un e KTV-së se deri në këto momente janë diku 300 zyrtarë që s’e kanë dorëzuar formularin e plotësuar, e nga e premtja nis verifikimi.
“Dërgimi i deklarimit bëhet në email, me postë. Diku 97 apo 98 për qind e zyrtarëve e kanë deklaruar pasurinë ndër vite. Të gjithë ata që nuk e kanë deklaruar pasurinë në afat, ata që kanë arsye, do të merren parasysh, e ndaj të tjerëve do të nisin veprime”, tha Atashi.
Tutje, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Lulzim Beqiri, tha se kjo është hera e 11 që e deklaron pasurinë.
“Për ata që për herë të parë e deklarojnë, nuk është proces i lehtë. Duhet t’i shikojnë dispozitat ligjore. Me kohë, zyrtarët vetëdijësohen dhe e kuptojnë cila është mënyra më e mirë e deklarimit”, tha Beqiri.
Sipas tij, deklarimi i pasurisë së një zyrtari publik duhet ta pasqyrojë realitetin financiar të tij.