Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës ka mbajtur mbledhje komemorative për vdekjen e akademikut Nexhat Daci, ku u vlerësua kontributi i tij në zhvillimin e shkencës, arsimit dhe institucioneve të Kosovës.
Nënkryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Fejzullah Krasniqi, tha se lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka tronditur thellë komunitetin akademik dhe qytetarët e Kosovës.
“Lajmi pikëllues na ka tronditur thellë të gjithë neve anëtarëve të Akademisë së Shkencave, qytetarëve të Kosovës, punëtorëve administrativë e teknikë. Nuk është ndalur nga qëllimi i tij për përparimin e vendit. Populli ynë e ka një fjalë të urtë e të mençur: nuk vdes ai që mbulohet, por vdes ai që shpejt harrohet. Akademik Daci, me punën e vet kolektive, me brezat që ka lënë pas të studentëve dhe me një familje të mrekullueshme që ka lënë pas, ka siguruar që do të mbetet përgjithmonë i paharruar nga opinioni shkencor e arsimor i Kosovës”, tha ai.
Gjatë mbledhjes u lexua edhe telegrami i Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të cilin e lexoi sekretari i Seksionit të Shkencave të Natyrës, profesori Enver Hamiti, ku u theksua roli i rëndësishëm i Dacit në shkencë dhe në ndërtimin e institucioneve akademike.
“Akademik Nexhat Daci do të përkujtohet për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shkencës dhe kimisë, për përkushtimin shumëvjeçar në formimin e brezave të rinj të studiuesve dhe pedagogëve, si dhe për përkushtimin e tij aktiv për formimin dhe forcimin e institucioneve akademike të Kosovës. Veprimtaria e tij shkencore, e shoqëruar me përvojë të gjerë ndërkombëtare, ka kontribuar ndjeshëm në afrimin e shkencave shqiptare në hapësirat akademike evropiane dhe më gjerë”, thuhej në telegramin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Nexhat Daci u varros të premten, më 2 janar, me nderime të larta shtetërore.