Arbëri

Në moshën 81-vjeçare vdiq akademiku Nexhat Daci, kryekuvendari i parë në Kosovën e pasluftës

Ka vdekur në moshën 81-vjeçare ish-kryekuvendari i Kosovës, Nexhat Daci. Lajmin e ka bërë të ditur Akademia e Shkencave e Kosovës, institucion të cilin e ka udhëhequr Daci për disa vite. 
Në lajmin mortor të kumtuar nga ASHAK-u është dhënë edhe një biografi e shkurtër e Nexhat Dacit.

“Me dhembje dhe pikëllim të thellë njoftojmë se sot, më 1 janar 2026, ndërroi jetë akademik Nexhat Daci, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, profesor shumëvjeçar në degën e kimisë të Fakultetit Filozofik, respektivisht të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës”, u tha në njoftimin e ASHAK-ut. 

Nexhat Daci lindi në fshatin Tërnoc të Bujanovcit më 26 korrik 1944. Në vendlindje e kreu edhe shkollën fillore, ndërsa të mesmen në Leskoc. Në vitin 1966 u diplomua në degën e Kimisë në Universitetin e Beogradit. Disertacionin e doktoratës e mbrojti në Universitetin e Zagrebit më 1973, e një vit më vonë vijoi studimet postdoktorale në Universitetin e Bradfordit të Britanisë së Madhe.
Qysh prej vitit 1968, Daci ishte i angazhuar në Universitetin e Prishtinës, e prej 1984-s mori titullin profesor i rregullt. 

Daci, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ishte në dy periudha: 1999-2004 dhe 2018-2019.

Përveç karrierës universitare, akademik Nexhat Daci ishte deputet i Kuvendit të Kosovës në tri legjislatura, e në dy prej tyre, në periudhën 2000 – 2006, edhe kryetar.

Daci angazhimin e tij politik e zhvilloi me Lidhjen Demokratike të Kosovës deri në fund të 2006-ës, kur u nda partia pas përplasjeve fizike në atë që u njoh si “Kuvendi i Karrigeve”. Më 2007, ai themeloi partinë Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe në zgjedhjet e po atij viti mori 10% të votave. 

Ngushëllime familjes dhe bashkëpunëtorëve të Dacit u ka shprehur presidentja Vjosa Osmani.

“Akademik Daci ishte një personalitet i rrallë, i cili bashkoi dijen shkencore, përkushtimin akademik dhe angazhimin institucional, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si Kryetar i Kuvendit, deputet, akademik dhe udhëheqës i institucioneve shkencore të vendit. Në vitet më të rënda për popullin e Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të nëntëdhjeta, Akademik Nexhat Daci u angazhua fuqishëm në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, si bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Me dije, maturi dhe vizion, ai dha një kontribut të çmuar në vendosjen e themeleve të forta të shtetit të Kosovës”, tha Osmani.

Ngushëllime për vdekjen e Dacit kanë shprehur edhe liderë të tjerë institucional e partiakë.

Edi Daci Prapashtica, ka njoftuar se babai i saj do të varroset të premten me nderime shtetërore. Ajo ka publikuar në Facebook agjendën. 

Njoftimi i plotë:

Me pikëllim të thellë njoftojmë se sot ka ndërruar jetë baba ynë, Nexhat Daci. Babin do ta kujtojmë gjithmonë për përkushtimin, urtësinë dhe kontributin e tij të çmuar ndaj familjes, shoqërisë dhe vendit, duke lënë pas një trashëgimi të respektit dhe dinjitetit që do të mbetet e paharruar.

Ceremonitë mortore do të mbahen nesër, më 02.01.2026, sipas kësaj agjende zyrtare:

09:00 – 11:45

Homazhe – Holli i Kuvendit të Kosovës

12:00 – 12:45

Akademi Përkujtimore në Sallën Plenare të Kuvendit të Kosovës.

13:40 – 14:20

Varrimi me nderime shtetërore tek Varrezat në Dragodan

Familja Daci falënderon të gjithë qytetarët, miqtë dhe dashamirët për ngushëllimet dhe respektin e treguar në këto momente zie.

E pamja do të mbahet nga data 03 deri më 05 janar, në Hotel Sirius, nga ora 10:00 – 17:00.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të.
 


Akademia e Shkencave reagon për vdekjen e Dacit

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka njoftuar për vdekjen e ish-kryekuvendarit dhe akademikut, Nexhat Daci.

“Me dhembje dhe pikëllim të thellë njoftojmë se sot më 1 janar 2026 ndërroi jetë akademik Nexhat Daci, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, profesor shumëvjeçar në degën e kimisë të Fakultetit Filozofik, respektivisht të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës”, thuhet në njoftim.

ASHAK-u tutje ka shkruar për jetën dhe veprën e Dacit, ndërkaq ka njoftuar se për detajet rreth organizimit të ceremonisë mortore, do të dalin me njoftim.

Akademik Nexhat Daci lindi më 26 korrik 1944 në Tërnoc të komunës së Bujanocit, ku mbaroi edhe shkollimin fillor, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Leskoc. Studimet un universitare i kreu në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit (1962-1966), ku u diplomua në degën e kimisë në qershor të vitit 1966. Më pas, po në degën e kimisë të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit mbaroi studimet pasuniversitare (1966-1968), teksa dy vjet më vonë (1970) ndoqi studime pasuniversitare edhe në Ljèges të Belgjikës. Më 1973 në Universitetin e Zagrebit mbrojti tezën e disertacionit të doktoratës “Kontribut për përcaktimin e strukturës kimike të substancës organike të thëngjillit të Kosovës”. Studimet pasdoktorale i vazhdoi në vitin 1974 në Universitetin e Bradfordit të Britanisë së Madhe. Pas përfundimit të studimeve të rregullta dhe të magjistraturës, në vitin 1968 u zgjodh asistent në Katedrën e Kimisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Karrierën universitare e vazhdoi duke u zgjedhur ligjërues më 1971, profesor inordinar më 1974 dhe profesor ordinar më 1984, tituj që i mori në Universitetin e Prishtinës, teksa bëri udhëtime studimi në Çeki (Bërno), Shqipëri dhe Britani (Bradford, Oksford, Londër dhe Aberdin). Përveç në tubime shkencore vendore, ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare, si në SHBA, Britani, Gjermani, Itali, Turqi, Hungari, Slloveni, Kroaci, Serbi, Shqipëri dhe Kosovë. Më 1985 u bë anëtar i Shoqatës Amerikane të Kimistëve, ndërsa më 1987 anëtar i Akademisë Europiane për Mjedisin me seli në Tybingen të Gjermanisë. Në vitin 1993 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 1996 u bë anëtar i rregullt i saj. Ishte anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të arteve që nga viti 2014. Përveç karrierës universitare, akademik Nexhat Daci ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në periudhën 2001-2011, si dhe ka ushtruar funksionin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në periudhat 2000-2004 dhe 2004-2006. Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ishte në dy mandate: 1999-2004 dhe 2018-2019”, thuhet në njoftimin e ASHAK-ut.

Abdixhiku: Daci u rreshtua me vendosmëri në shërbim të kauzës për liri

1 muaj më parë / 1 jan 2026 13:24
Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-kryeparlamentarit Nexhat Daci.

Në një telegram ngushëllimi dërguar mediave, thuhet se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i shpreh ngushëllime familjes Daci dhe gjithë miqve e bashkëpunëtorëve me rastin e ndarjes nga jeta të Akademik Nexhat Daci.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, akademikut dhe profesorit Nexhat Daci. Akademik Daci ishte një figurë e veçantë e jetës sonë publike dhe akademike, që me dije të thellë, integritet dhe përkushtim i shërbeu vendit si Kryetar Kuvendi, deputet, akademik dhe drejtues i institucioneve shkencore. Veprimtaria e tij la gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në zhvillimin e mendimit shkencor në Kosovë”, ka shkruar ai.

Sipas Abdixhikut, në periudhat më të vështira për popullin, Daci u rreshtua me vendosmëri në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, duke qenë bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Ibrahim Rugova.

“Me urtësi, vizion dhe përgjegjësi shtetërore, ai kontribuoi në forcimin e themeleve të shtetit të Kosovës. Trashëgimia e tij në fushën e arsimit të lartë, të shkencës dhe të jetës institucionale do të mbetet një vlerë e çmuar për brezat që vijnë. Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Daci, për miqtë, bashkëpunëtorët dhe për të gjithë ata që patën nderin ta njohin dhe të punojnë me të. Qoftë i përjetshëm kujtimi për Akademik Nexhat Dacin”, ka thënë ai.

Osmani: Nga Akademia te shteti, Daci la gjurmë të thella

1 muaj më parë / 1 jan 2026 12:22
Vjosa Osmani

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se me pikëllim ka marrë lajmin për vdekjen e ish-kryeparlamentarit, Nexhat Daci.

Në një postim në Facebook, ajo ka shkruar se Daci ishte një personalitet i rrallë, i cili bashkoi dijen shkencore, përkushtimin akademik dhe angazhimin institucional, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si Kryetar i Kuvendit, deputet, akademik dhe udhëheqës i institucioneve shkencore të vendit

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryeparlamentarit të Republikës së Kosovës, akademikut dhe profesorit të nderuar, Nexhat Daci. Në vitet më të rënda për popullin e Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të nëntëdhjeta, Akademik Nexhat Daci u angazhua fuqishëm në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, si bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Me dije, maturi dhe vizion, ai dha një kontribut të çmuar në vendosjen e themeleve të forta të shtetit të Kosovës”, ka shkruar ajo.

Osmani ka thënë se kontributi i tij shumëdimensional në ndërtimin e shtetit, në zhvillimin e arsimit të lartë dhe në avancimin e shkencës do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë institucionale dhe intelektuale të vendit.

“Në këto çaste të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Daci, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të. I përhershëm qoftë kujtimi për Akademik Nexhat Dacin”, ka shkruar tutje Osmani në Facebook.

Basha: Daci la gjurmë të pashlyeshme në historinë e demokracisë parlamentare të Kosovës

1 muaj më parë / 1 jan 2026 12:00
Dimal Basha

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka reaguar pas vdekjes së  ish-kryeparlamentarit, Nexhat Daci.

Ai ka thënë se gjatë shërbimit të tij në krye të Kuvendit, Daci la gjurmë të pashlyeshme në historinë e demokracisë parlamentare të Kosovës.

Ka shkruar se trashëgimia e tij politike mbetet pjesë e historisë dhe përpjekjeve për shtetndërtim.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, një figurë të shquar të jetës politike dhe publike të vendit tonë. Në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Daci, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Gjatë viteve të shërbimit të tij në krye të Kuvendit të Kosovës, ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e demokracisë parlamentare të vendit tonë. Me vizion, maturi dhe përkushtim, z. Daci kontribuoi në ndërtimin e institucioneve demokratike, në forcimin e Kuvendit si zë i qytetarëve dhe në avancimin e proceseve politike në prag të shtetësisë së Kosovës. Trashëgimia e tij politike mbetet pjesë e historisë së Kuvendit dhe e përpjekjeve tona për shtetndërtim”, ka shkruar ai.