Arbëri

Daci kujtohet si burrështetas që la gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e institucioneve

Akademia per Nexhat Dacin

Foto: Driton Paçarada

Përditësim 12:30 - Ish-kryeparlamentari Nexhat Daci është kujtuar si burrështetas i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e institucioneve demokratike në Kosovë.

Në akademinë përkujtimore, të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Daci “i përket kategorisë së njerëzve për të cilët historia flet me respekt të jashtëzakonshëm”.

“Burrështetas, dijetar dhe intelektual i përkushtuar.... La gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin e mendimit shkencor”, ka thënë Osmani.

Presidentja ka thënë se Daci kishte zgjedhur rrugën e urtësisë si politikan dhe që nuk e shihte politikën si përplasje. “Kontributi i tij ishte i qetë, por i thellë”, ka thënë ajo.

Kryeparlamentari Dimal Basha e ka cilësuar personalitet të rrallë Dacin. Basha e ka quajtur Dacin vizionar dhe figurë themeltare e sigurisë institucionale e orientimit demokratik të Kosovës.

“Ai ishte shembulli i intelektualit që e kuptoi arsimin dhe shkencën jo vetëm si profesion, por edhe si mision kombëtar dhe mjet thelbësor të emancipimit tonë shoqëror”, ka thënë Basha ndër të tjera.

Basha ka thënë po ashtu se maturia e Dacit ishte jetike dhe e jashtëzakonshme në vitet e para të pasluftës.  

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Daci me qetësinë dhe maturinë e tij, ka shërbyer si “e kundërta e polarizimeve politike”.

Ai ka thënë se Daci do të mbahet mend si zë në vete në faqet e historisë së shtetndërtimit të Kosovës.

Majlinda Daci, e bija e Nexhat Dacit, ka thënë se babai i saj ishte shembull se si duhej të jetohej jeta me dinjitet dhe dashuri.

“Ai gjithmonë mendonte se politika kur bëhet me ndershmëri dhe dinjitet, është shërbim për qytetarët dhe sakrificë për të ardhmen”, ka thënë ajo.


Homazhe në Kuvend për ish-kryeparlamentarin Daci

Kanë filluar në Kuvendin e Kosovës homazhet për ish-kryeparlamentarin, Nexhat Daci, që vdiq një ditë më parë në moshën 81-vjeçare.

Sipas agjendës zyrtare të ceremonive mortore, aktivitetet do të vazhdojnë gjatë ditës me Akademinë Përkujtimore, e cila do të mbahet nga ora 12:00 deri në 12:45 në Sallën Plenare të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, ceremonia e varrimit me nderime shtetërore është paraparë të mbahet nga ora 13:40 deri në 14:20, në varrezat në Dragodan.