Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Arbëreshë Krasniqi, u ka bërë thirrje liderëve të partive politike të ulen e të arrijnë marrëveshje për ta konstituar Kuvendin e Kosovës.
Ajo ka thënë se kreu i Nismas, Fatmir Limaj, është i gatshëm të takohet me këdo që e fton dhe "nuk është larguar asnjëherë nga përgjegjësitë".
“Gjitha subjektet politike, përveç përgjegjësinë që e kanë për të kërkuar votë, është e rëndësishme që ta arsyetojnë besimin qytetar dhe atë votë që kanë marrë. Subjektet politike, duke nisur nga ai që ka dalë i pari e deri te Nisma, kemi përgjegjësi edhe për ngritjen e çmimeve, edhe për rrymën, kemi obligim për shëndetësinë e deri te librat që kanë me u shpërnda për nxënësit. Nisma po mundohet me të gjitha kapacitetet e saja për ta ndryshuar situatën. Liderët e kanë përgjegjësinë ta konstituojnë Kuvendin, të gjejnë gatishmëri e vullnet e të arrijnë marrëveshje që do të jenë në interes të gjithëve. Lideri Limaj e dini se asnjëherë nuk është larguar prej përgjegjësive”, tha Krasniqi.
