Arbëri

Arben Limani zgjidhet drejtor menaxhues i AKP-së

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka zgjedhur të mërkurën Arben Limanin drejtor menaxhues, ka bërë të ditur Ksp-ja.

Sipas njoftimit, Limani ka përvojë pune 20-vjeçare në sektorin privat dhe publik, me specializim në zhvillimin dhe zbatimin e politikave publike, të mbështetura me edukim të lartë në shkencat juridike brenda dhe jashtë vendit.

Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ai është angazhuar që nga viti 2009, teksa ka mbajtur edhe pozitën e drejtorit të Sekretarisë Ekzekutive të Bordit të Drejtorëve nga viti 2011.

Në tetor të vitit 2021, në pozitën e drejtorit menaxhues të kësaj Agjencie ishte zgjedhur Avni Jashari. Emërimi i tij nga bordi i drejtorëve ishte bërë disa ditë pasi ish-drejtori menaxhues i asaj kohe, Valon Tolaj, kishte dhënë dorëheqjen nga kjo pozitë.