Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Apostolova: Vizita e presidentit Juncker konfirmon perspektivën evropiane të Kosovës

Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë/përfaqësuese e posaçme e BE-së, në një vështrim të botuar ekskluzivisht në numrin e sotëm të “Kohës Ditore”, ka thënë se Kosova ka një perspektivë të qartë dhe të fortë evropiane, sikurse të gjitha vendet e tjera në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Madje ajo thotë se këtë do ta pohojë edhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, nesër gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë.

“Presidenti Juncker, i cili do të shoqërohet nga përfaqësuesja e lartë/zëvendëspresidentja (PL/ZP), Federica Mogherini, dhe komisari Johannes Hahn, do të tregojë se BE-ja është në anën e qytetarëve të Kosovës, teksa ata punojnë me ngulm për t'u afruar më shumë me Bashkimin Evropian. Ky mesazh është përcaktuar nga Strategjia e re e BE-së për Ballkanin Perëndimor. Strategjia është për të 6 partnerët në rajon, për Kosovën po aq sa edhe për të tjerët”, shkruan Apostolova në vështrimin e saj, transmeton Koha.net.

Kosova, sipas saj, do të jetë pjesë e iniciativave udhëheqëse të paraqitura në kuadër të Strategjisë, çka do ta përforcojë aftësinë e saj për të zbatuar reformat e nevojshme në rrugën e saj evropiane dhe për të arritur një standard më të mirë jetese për popullin e saj.

“Megjithatë, si për çdo partner tjetër të Ballkanit Perëndimor, kjo perspektivë evropiane do të materializohet vetëm nëse shtohen përpjekjet për reforma dhe nëse Kosova arrin rezultate në fusha, si ekonomia, sundimi i ligjit dhe administrata publike”, ka thënë më tej ajo... (vështrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të “Kohës Ditore”)