Arbëri

AP-ja shkruan për hapjen e klubeve të natës në Prishtinë, pas 16 muajsh mbylljeje

Pas 16 muajsh mbylljeje si pasojë e masave ndaj koronavirusit, klubet e natës në Prishtinë i janë kthyer normalitetit të premten.

Qeveria e Kosovës ka lejuar hapjen e tyre, por ka mbajtur disa masa, si për shembull ajo që duhet të mbyllen në orën 1 dhe që s’lejohet të kalohet shifra prej 300 qytetarëve brenda.

Megjithatë, pronarët e kanë parë si lehtësim. Për këtë çështje ka raportuar edhe agjencia prestigjioze e lajmeve, Associated Press.

“Sot po shpresojmë të kthehemi ne dhe punëtorët tanë nga zeroja, apo më mirë të themi minusi në të cilin jemi futur. Do të punojmë deri në orën 01:00 me 70 për qind të kapacitetit në ambiente të hapura, por jemi shumë të lumtur pasi po shohim dritë në fund të tunelit”, ka thënë Petrit Kllokoqi, një nga pronarët e një klubi të natës në Prishtinë.

Të rinjtë e të rejat kosovarë të premten kanë shijuar jetën e natës duke “pushtuar” klubet që nga ora 21.

Qeveria e Kosovës nisi gradualisht me hapjen e bizneseve nga prilli, duke zgjatur fillimisht orët e punës së gastronomisë.

“Jemi të lumtur që po i kthehemi kohës sonë, po pimë e po kënaqemi”, ka thënë për AP-në, qytetarja Vesa Gorani.

Rastet me COVID-19 kanë rënë kohëve të fundit në Kosovë me rastet e reja që po regjistrohen në vlera njëshifrore. Megjithatë autoritetet kanë paralajmëruar se ardhja e variantit Delta mund të kthejë masat restriktive. Tashmë janë konfirmuar dy raste të këtij varianti.