Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Anulohet seanca e sotme ndaj ish-krerëve të UÇK-së, gjykimi rinis më 12 qershor

Thaçi dhe të tjerët

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar se seanca e paraparë për të mërkurën në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, është anuluar.

Sipas njoftimit gjykimi ndaj tyre do të vazhdojë më 12 qershor.

“Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të shtatë të ZPS-së, gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit përfundoi për këtë javë. Gjykimi do të rinis të hënën, më 12 qershor, në orën 09:00, ndërsa seanca e caktuar për nesër (më 24 maj) anulohet” thuhet në njoftimin e Speciales.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën 1998–1999.

Për këto krime të pretenduara, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) pretendon se katër pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm ishin në dijeni ose kanë pasur arsye të jenë në dijeni.

Edhe Procesi gati 6-vjeçar ndaj Thaçit dhe të tjerëve drejt fundit Arbëri Procesi gati 6-vjeçar ndaj Thaçit dhe të tjerëve drejt fundit

Ata akuzohen edhe për pjesëmarrje direkte në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi. Akuzat i kanë mohuar në tërësi Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, e po ashtu edhe mbrojtësit e tyre.

Deri më tani në këtë rast të gjithë dëshmitarët kanë dhënë dëshmitë e tyre në seanca kryesisht të mbyllura për publikun.