Arianita Hoti
Depoja që gjendet në oborrin e Shoqatës së të Verbërve në Prishtinë po ua rrezikon jetën anëtarëve të këtij institucioni. Behxhet Gashi dhe Asllan Canolli thonë se janë të detyruar që gati çdo ditë të hyjnë në objekt, edhe pse ndihen të rrezikuar nga shembja.
“Unë jam ai personi që kur kemi marrë ndihma dhe pako ushqimore i kemi vendosur aty, kam hyrë në këtë objekt, pasi që aty e kemi edhe arkivin. Më ka ndodhur që më ka rënë baltë dhe pluhur nga tavani në sy dhe menjëherë kam pasur nevojë ta vizitoj mjekun. Këtu pothuajse çdo ditë, për shkak të errësirës dhe gjendjes së rëndë të objektit, ndodhin incidente. Mua personalisht më kanë rënë pjesë të ormanit mbi shpinë”, ka treguar Behxhet Gashi, kryetar i Shoqatës Ndërkomunale të të Verbërve në Prishtinë.
Edhe kolegu i tij, Asllan Canolli, e shpreh shqetësimin edhe për pamundësinë e mirëmbajtjes së hapësirës së brendshme të objektit të ndërtuar para viteve ’40.
“Gjatë vendosjes së gjësendeve në depo ka rrezik të lëndohesh, sepse paketat shpesh lëshohen pa kontroll dhe pozicionimi është i paorganizuar. Pluhuri është, gjithashtu, një problem i madh, ambienti është shumë i pluhurosur dhe nuk kemi mirëmbajtës, për shkak që nuk kemi buxhet”, ka thënë Canolli, anëtar i Shoqatës së të Verbërve të Prishtinës.
Kryetari i Shoqatës, Behxhet Gashi, tregon se ata kanë anëtarë nga 6 komuna, por vetëm tri prej tyre thotë se kanë ofruar ndihmë financiare për rinovimin e objektit.
“Me komunat e Lipjanit, Drenasit dhe Obiliqit jam shumë i zhgënjyer, se nuk kanë dashur as të dëgjojnë për punën që e kemi, vështirësitë që i kemi, nuk kanë shprehur gatishmëri që as të vijnë të na vizitojnë ku i kanë banorët e komunës, e të mos flasim për financiarisht dhe mjete të tjera, që 15 vjet nuk e kemi asnjë përkrahje”, ka thënë Gashi.
KOHA ka kontaktuar me zyrtarët e këtyre tri komunave. Ata kanë thënë se do të shohin mundësi se si të ndihmohet shoqata, meqë kjo nuk ka qenë pjesë e planifikimeve të tyre buxhetore.
Drejtuesit e Shoqatës, që i regjistron mbi 650 anëtarë, kanë bërë apel që t’u ndihmohet në rinovimin ose rrënimin e këtij objekti me qëllim të largimit të rrezikut.