Banorët e Stanishorit të Novobërdës po përballen tash e afro dy dekada me pluhurin, zhurmën dhe dëmtimet që shkaktohen nga kamionët e gurthyesve që kalojnë çdo ditë nëpër fshat. Ata ankohen për mungesë të veprimit institucional. E njohës të çështjeve të mjedisit thonë se mungon monitorimi i mirëfilltë i gurthyesve
Pluhuri dhe zhurma janë kthyer në pjesë të përditshmërisë për banorët e fshatit Stanishor të Novobërdës tash e afro dy dekada.
Dhjetëra kamionë të rëndë që bartin material nga afro 10 gurthyes që operojnë përreth, kalojnë çdo ditë në mes të fshatit, duke lënë pas re pluhuri, baltë dhe rrugë të dëmtuara.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBanorët thonë se prej vitesh jetojnë në kushte të rënda dhe se janë lënë në mëshirë të fatit, pa zgjidhje konkrete nga institucionet përgjegjëse.
“Po e shihni edhe lëvizjen e kamionëve momentalisht. Nëse merr diell është pluhuri në qiell, nëse merr shi është lloçi deri në gjunjë. Trotuaret janë mbushur me zall e baltë. Kështu po jetojmë qe vite të tëra – një jetë tmerri prej gurthyesve”, ka thënë banori i fshatit Stanishor, Ahmet Govori.
Ani pse pluhuri është i dukshëm pothuajse çdo ditë, analizat laboratorike që ka siguruar KOHA nxjerrin rezultate që nuk përputhen me realitetin që e përshkruajnë banorët.
Sipas Ali Sefajt, njohës i çështjeve të mjedisit, kjo situatë tregon për mungesë serioze të monitorimit institucional dhe mosrespektim të kushteve të lejeve mjedisore nga ana e operatorëve të gurthyesve.
“Kjo dëshmon për një monitorim jo të mirëfilltë të ndikimit që kanë gurthyesit në mjedis dhe në shëndetin e qytetarëve. Kur banorët jetojnë çdo ditë nën pluhur, kur rrugët, shtëpitë dhe oborret mbulohen nga grimcat, ndërsa raportet zyrtare deklarojnë se gjithçka është brenda normave, atëherë kemi të bëjmë me një dështim serioz institucional. Mosrespektimi i kushteve të lejeve mjedisore nga gurthyesit rrezikon drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, ka thënë Sefaj.
Më 2019 Komuna e Novobërdës pati premtuar një rrugë alternative që do të shmangte kalimin e kamionëve nëpër fshat, por rruga nuk është bërë.
Pas dyshimeve të ngritura për dëmet mjedisore të shkaktuara nga gurthyesit, më 2021 Ministria e Mjedisit pati themeluar një Grup punues për eksplatuesit e gurit, zhavorrit, gurthyesve dhe seperacioneve, i cili ka nxjerr një raport me rekomandime, por ai tash e 5 vjet ka mbetur në sirtar.
Sefaj që ishte pjesë e këtij grupi punues thekson se prej atëherë nuk është ndërmarrë asnjë masë.
“Në radhë të parë nuk është bërë plani për mjedisin, nuk janë hartuar plane për rivitalizim, nuk është ndarë fond, nuk janë larguar operatorët ekonomikë në afërsi të vendbanimeve, apo tokave bujqësore, që si rezultat mund ta dëmtojnë tokën bujqësore, duke larguar edhe ujërat nëntokësore dhe duke i bërë ato të padobishme për bujqësi”, ka thënë ai.
Shqetësuese mbetet edhe mosrehabilitimi i zonave ku kanë operuar për vite gurthyesit.
Sefaj thotë se ka mungesë totale të rivitalizimit të këtyre zonave, të cilat sipas tij, shpeshherë janë bërë edhe vende ku kanë gjetur vdekjen qytetarët dhe dëmtim i pasurive të tyre, veçmas bagëtive.
Në Ministrinë e Mjedisit kanë thënë për KOHËN se nuk kanë të dhëna për emetimin nga operatorët në fushën e ekspoaltimit të gurit dhe zhavorrit.
“Ne kemi krijuar Komisionin ad hoc për zbatimin e kushteve teknike të Gurthyeseve dhe do ta adresojmë këtë problem. Operatorët sipas Ligjit për mbrojtën e mjedisit kanë për obligim të bëjnë raportimin e emetimeve, por këtë nuk e kanë bërë kurrë, inspektorati i MMPH-së ka vënë gjoba për këtë, por prapë nuk janë respektuar. Komisioni Ad-Hoc do të nxjerrë rekomandimet e veta për plotësimin e kushteve teknike, përfshirë emetimet në ajër”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
KOHA ka kërkuar informacione nga Komisioni për Miniera dhe Minerale lidhur me licencat si dhe nëse është monitoruar veprimtaria e gurthyesve apo nëse janë tejkaluar kushtet e licencës nga kompanitë, por nuk ka marrë përgjigje për më shumë se një javë.