Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ambasada Britanike i çon letër proteste MASH-it për tenderin 1.280 milionë eurosh

Një milion e 280 mijë euro është vlera e tenderit që Ministria e Arsimit ka hapur në prag të zgjedhjeve për sistemin e digjitalizimit për menaxhim të arsimit.

Tenderi është hapur më 29 dhjetor nga Qeveria që është në detyrë e gjithashtu edhe nga ministri Ramë Likaj, por për shkak të mangësive ligjore kompetencat e qeverive në detyrë nuk janë të kufizuara e as të përcaktuara mirë.

Por Ambasada Britanike në Kosovë ia ka dërguar të mërkurën një letër proteste ministrit Ramë Likaj për këtë veprim të tij.

Në letrën që e ka siguruar KOHA, ndër të tjera, vihet në pah se tenderi është hapur pa përfunduar Strategjia për digjitalizim, të cilën e ka financuar me rreth 45 mijë euro Ambasada Britanike.

Sipas saj, qëllimi i dokumentit strategjik ka qenë pikërisht që të studiohet gjendja dhe të bëhen investime të koordinuara mirë dhe të ndalohen “një herë e mirë investimet ad-hoc”.

“Me shqetësim të thellë kemi marrë lajmin se dje është publikuar dosja tenderuese e MASH-it lidhur me digjitalizimin e sistemit të manaxhimit të arsimit, me kosto € 1.280.000. Me sa jemi në dijeni, grupi punues, i formuar nga vetë MASH-i, nuk ka qenë i njoftuar me përmbajtjen e këtij tenderi edhe me gjithë kërkesat e vazhdueshme të kryesueses së Grupit Punues për stafin e MASH-it që të raportojë çdo nismë të ndërmarrë në të kaluarën apo të tashmen lidhur me digjitalizimin e arsimit”, thuhet në letrën e nënshkruar nga zv.ambsadori Jacob Webber, drejtuar ministrit Ramë Likaj.

Aty shtohet se tenderi është dashur të mos hapej pa përfunduar Strategjia e Digjitalizimit të Arsimit në Kosovë.

Edhe MASH-i anulon tenderin 1 milion e 280 mijë euro Arbëri MASH-i anulon tenderin 1 milion e 280 mijë euro

“Digjitalizimi i sistemit të manaxhimit të arsimit është më se i nevojshëm. Mirëpo, është po aq e rëndësishme që një investim i tillë të jetë i përgatitur mirë, të jetë i përdorshëm për të gjithë, dhe të paraqesë vlerë për paranë e taksapaguesve kosovarë”, përfundon letra e zv.ambasadorit britanik.

Pezullim të tenderit ka kërkuar edhe shoqëria civile, veçanërisht për shkak të afërsisë me procesin e zgjedhjeve të parakohshme. Sipas Diana Metushi-Krasniqit nga Instituti Demokratik i Kosovës, është hap shumë i gabuar i Qeverisë të shfrytëzohet buxheti i shtetit tani në prag të fushatës zgjedhore.

“Fatkeqësisht jo hera e parë as e fundit, gjithmonë këto projektet madhore milionëshe po lihen para zgjedhjeve dhe po shfrytëzohen për të marrë poenë për t’i dhënë një shërbim qytetarit për të cilin qytetari po paguan fundja e fundit. Problemi tjetër me këtë kontratë është që ky tender është shpallur në fund të vitit, të mos harrojmë që është pak e padrejtë edhe ndaj operatorëve ekonomikë duke pasur parasysh që jemi duke hyrë në një periudhë të festave dhe tenderi është i hapur vetëm për 40 ditë”, ka thënë Metushi-Krasniqi.

Për tenderin, por edhe letrën e Ambasadës Britanike, KOHA ka pyetur Ministrinë e Arsimit dhe udhëheqësin e saj, Ramë Likaj, por ata nuk janë përgjigjur as për të dhënë detaje e as për të komentuar hapjen e këtij tenderi në prag të zgjedhjeve.