Qytetarët e Gjakovës kanë kundërshtuar fuqishëm kthimin e një shtetaseje serbe në këtë qytet. Shoqata e Familjarëve të të Zhdukurve ka paralajmëruar se nëse Komuna e Gjakovës nuk vepron për ta larguar, do ta nxjerrin me dhunë nga banesa. KOHA ka provuar të kontaktojë me kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, por ai nuk është deklaruar për rastin.
Me reagime e pakënaqësi të mëdha është kundërshtuar kthimi i një shtetaseje serbe në Gjakovë.
Organizata të shoqërisë civile po e akuzojnë kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, se ia ka mundësuar serbes, Dragica Gashiq, që të kthehet e të jetojë në pronë të Komunës.
Shoqata e familjarëve të të zhdukurve “Thirrjet e Nënave” e ka quajtur të turpshëm veprimin e Komunës.
“Ajo le ta dinë, le ta mban mend e edhe të tjerët, që këtu vend nuk kanë. Ne urgjentisht duhet me shku në banesë dhe qysh na kanë qitë jashtë me dhunë, me dhunë do ta qesim. Nuk ndijmë më, sepse durimit i ka ardhë fundi. Mjaft më”, ka thënë Luljeta Sharani nga Shoqata “Thirrjet e Nënave”.
Kthimin e serbes në Gjakovë e ka kundërshtuar edhe Ferdonije Qerkezi së cilës forcat serbe ia vranë burrin dhe katër djemtë e saj në luftë.
“Turp për Komunën që ia ka mundësuar me ardhë me jetu në Gjakovë. Ajo kish punu në Sub ajo serbe i ka edhe ajo duart e zhlyne sikur vëllezërit e motrat”, ka thënë Ferdonije Qerkezi.
Këto shoqata fillimisht kanë paralajmëruar protesta për të hënën, por më pas kanë njoftuar se protesta është anuluar.
Lidhur më këtë ngjarje ka reaguar edhe Dega e Alternativës në Gjakovë.
Përmes një postimi në Facebook, Alternativa ka kërkuar përgjegjësi ndaj kryetarit të Komunës, përderisa i ka këshilluar organizatat e shoqërisë civile që në rast se protestohet të jenë të përgjegjshme për pasojat që mund të shkaktohen.
“Alternativa- Dega në Gjakovë, me shqetësim të madh ka përcjellë zhvillimet e fundit të cilat lidhen me rastin e kthimit të shtetases serbe në Komunën e Gjakovës që nga 9.6.2021. Ende më shqetësuese është angazhimi i Komunës së Gjakovës në përgatitjen e banesës, pronë të cilën e posedon Komuna, pa asnjë konsultim paraprak me organet e rendit dhe ato të Inteligjencës, si dhe heshtja e Komunës dhe e kryetarit të saj në marrjen e përgjegjësisë, tashmë kur situata ka krijuar pakënaqësi në masë”, ka thënë dega e Alternativës në Gjakovë.
Krijimi i tensioneve dhe rrethanave që zgjojnë emocione në vendin me humbjet më të mëdha nga lufta e fundit në Kosovë, Komuna e Gjakovës, në kohën kur Kosova për herë të parë pas shumë vjetëve po tregon qasje provokuese, seriozitet dhe përfaqësim dinjitoz në dialogun në Bruksel, shkakton disavantazh dhe përkeqëson pozitën e vendit në këtë proces”.
Në lidhje me këtë çështje Koha ka tentuar të kontaktojë edhe me kryetarin Ardian Gjini, por ai nuk është deklaruar.