Analisti politik Artan Alijaj ka deklaruar se negociatat politike për zgjedhjen e presidentit është dashur të fillonin shumë më herët, duke kritikuar vonesat dhe mungesën e vullnetit për arritjen e një konsensusi.
Sipas tij, fakti që çështja tashmë ndodhet në shqyrtim në Gjykata Kushtetuese e Kosovës tregon se procesi politik ka dështuar të gjejë zgjidhje në kohë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër pretendimet se afati 60-ditësh duhet të ishte llogaritur para se të arrihej dita e fundit për zgjedhjen e presidentit, Alijaj theksoi se Kuvendi nuk ka qenë i konstituuar për ta respektuar këtë afat kushtetues. Sipas tij, një logjik e shëndoshë do të thotë se afati do të duhej të fillonte të numërohej nga 12 shkurti.
Sipas analistit, liderët politikë – veçanërisht kryeministri Albin Kurti – është dashur të angazhoheshin më herët në negociata për të arritur marrëveshje për presidentin.
“Liderët politikë, kryesisht Kurti, është dashur të negocionte shumë më herët. Nuk është dashur të pritej kaq gjatë”, ka thënë ai në KTV.
Alijaj kritikoi edhe mënyrën se si është menaxhuar procesi institucional, duke thënë se është ndjekur një renditje ku fillimisht është trajtuar konstituimi i Kuvendit, më pas qeveria dhe buxheti, e vetëm në fund çështja e presidentit.
Sipas tij, këto procese kanë mundur të zhvilloheshin paralelisht dhe me një proces më transparent e substancial të negociatave politike.
Ai theksoi se situata aktuale është rezultat i mungesës së vullnetit për konsensus dhe i konfliktit politik mes partive.
“Kjo është një lloj kaosi i shkaktuar nga klasa politike, kryesisht rezultat i konfliktit politik dhe i mungesës së disponimit për të ofruar zgjidhje”, u shpreh Alijaj.