Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ali Ahmeti në përvjetorin e 22-të të Marrëveshjes së Ohrit: Padyshim jemi më mirë se dje

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në përvjetorin e 22-të të Marrëveshjes së Ohrit, ka thënë se pozita e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut sot është shumë më e mirë se që ishte më parë.

Por, Ahmeti ka thënë se janë duke punuar që e ardhmja të jetë edhe më e mirë.

“Pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe miratimit të ndryshimeve kushtetuese më 2001, po tejkalohen edhe barrierat e fundit drejt barazisë së shumëkërkuar dhe të mohuar. Sot gjuha shqipe dhe flamuri kombëtar, bashkë me të edhe universitete në gjuhën shqipe, janë zyrtare. Sot, shqiptarët i gjen gati në të gjitha dikasteret, por edhe duke drejtuar me përgjegjësi institucionet e vendit ku i demonstrojnë kapacitetet shtetdrejtuese”, ka thënë Ahmeti në një video të postuar në faqen e tij në Facebook. “Sot jemi pjesë e aleancës euroamerikane, jemi në NATO, po ndërtojmë edhe autostrada me Shqipërinë e Kosovën, me rajonin me të cilat edhe po unifikojmë kufijtë. Hapëm negociata për anëtarësim në BE dhe po përfundojmë skriningun”.

Ali Ahmeti ka thënë se për të rumbullakësuar procesin e barazisë dhe integrimit duhet të ndërmerren edhe hapat e fundit të ndryshimeve kushtetuese.

“Vendimet e mëdha kërkojmë guxim e jo kalkulim, kërkojnë vizion e jo shkurtpamësi, kërkojnë prirje e jo strukim. Nuk guxojmë ta humbin shansin e ta shuajmë shpresën e qytetarëve për një vend e rend evropian. Punët nuk përfundojnë asnjëherë, ashtu siç edhe detyrat tona nuk mbarojnë. Por nevojitet angazhimi ynë i përditshëm për t’i përafruar standardet tona me ato evropiane. Prandaj nuk do të ndalemi. Sot në këtë përvjetor kujtojmë të gjithë dëshmorët, invalidët, veteranët, martirët dhe familjet e tyre, me ndërtimet më të larta. Sot padyshim jemi më mirë se dje, po punojmë që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja”, tha Ahmeti.