Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se marrëveshja kornizë e Ohrit solli paqe dhe mundësoi zhvillimin e vazhdueshëm të kohezionit shoqëror dhe të konceptit evropian të unitetit. Me rastin e 22-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, kjo ngjarje u konsiderua si pikë kthese për të drejtat e shqiptarëve.
Përvjetori i 22-të i Marrëveshjes së Ohrit, është përkujtuar nga liderët shtetërorë e ata të partive kryesore politike në Maqedoninë e Veriut.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në këtë përvjetor, u përkujdes që t’i nderojë dëshmorët, invalidët, martirët e të gjithë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Ahmeti që ishte njëri ndër udhëheqësit e kësaj ushtrie, ka numëruar avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, që nga nënshkrimi i marrëveshjes.
“Pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe miratimit të ndryshimeve kushtetuese më 2001, po tejkalohen edhe barrierat e fundit drejt barazisë së shumëkërkuar dhe të mohuar. Sot gjuha shqipe dhe flamuri kombëtar, bashkë me të edhe universitete në gjuhën shqipe, janë zyrtare. Sot, shqiptarët i gjen gati në të gjitha dikasteret, por edhe duke drejtuar me përgjegjësi institucionet e vendit ku i demonstrojnë kapacitetet shtetdrejtuese”, ka thënë Ahmeti.
E publicisti nga Shkupi, Arben Ratkoceri, ka thënë që kjo marrëveshje e ka përmirësuar dukshëm pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ai vlerëson si vendimtar rolin e politikës shqiptare drejt zgjidhjes së problemeve të Maqedonisë me fqinjët e saj, sa i përket rrugës drejt BE-së.
“Marrëveshja e Ohrit, realisht, statusin e shqiptarëve sidomos në çështjet juridike siç është kushtetuta dhe ligjet, e ka avancuar dukshëm, por nuk e ka barazuar me statusin e shumicës maqedonase, synim i së cilës ishte ndoshta edhe konflikti, por edhe marrëveshja e Ohrit. Shqiptarët në Maqedoni, aktualisht ballafaqohen me problemin e mungesës së kapaciteteve të tyre shoqërore për t’i realizuar dhe ato të drejta që i garanton marrëveshja e Ohrit”, ka thënë Ratkoceri.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski me rastin e 22-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ka thënë se ky shtet është shembull për demokraci funksionale, të qëndrueshme dhe multietnike që praktikon vlera evropiane.
“Marrëveshja Kornizë e Ohrit solli paqe dhe mundësoi zhvillimin e vazhdueshëm të kohezionit shoqëror dhe të konceptit evropian të unitetit në dallime”, ka shkruar ai.
Gjatë vitit 2001, në Maqedoni kishin përshkallëzuar në konflikt të armatosur kërkesat e shqiptarëve për më shumë të drejta në këtë shtet. Për t’i dhënë fund këtij konflikti, faktori ndërkombëtar në Ohër i mblodhi udhëheqësit e Maqedonisë dhe përfaqësuesit e shqiptarëve atë kohë. Me këtë rast, u nënshkrua marrëveshja për paqe, ku shqiptarëve u garantohen më shumë të drejta e përfaqësim në institucionet e shtetit të Maqedonisë Veriore.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përbëjnë grupin e dytë më të madh etnik.