Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj katër zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, B.R., B.H., R.Q. dhe N.L., nën dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare gjatë realizimit të një kontrate publike për mirëmbajtjen e urave në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës. KOHA pati raportuar për dyshimet qysh në vitin 2021.
Bëhet fjalë për tenderin “Mirëmbajtja e urave në rrugët nacionale dhe regjionale të Kosovës 2017-2019”. KOHA pati raportuar atë kohë se kontrata ishte parashikuar të jetë 500 mijë euro, ndërsa kompanisë i ishin paguar rreth 5 milionë e 375 mijë euro.
Në ngritjen e aktakuzës, Prokuroria Speciale ka konfirmuar këtë duke njoftuar se veprimet për të cilat akuzohen të pandehurit kanë ndodhur në periudhën nga 2 gushti 2017 deri më 26 nëntor 2020, në kohën kur ata ushtronin funksione zyrtare në Ministrinë e Infrastrukturës.
Prokuroria pretendon se të pandehurit kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore dhe nuk kanë përmbushur detyrat zyrtare lidhur me inicimin, prokurimin, menaxhimin, autorizimin, certifikimin dhe pagesën e kontratës publike “Mirëmbajtja e Urave në Rrugët Nacionale dhe Rajonale të Kosovës për vitet 2017–2019”.
Në aktakuzë thuhet se aktiviteti i prokurimit ishte iniciuar me një vlerë të parashikuar prej 500 mijë eurosh, ndërsa pagesat e realizuara në kuadër të kontratës kanë arritur në 5 milionë e 377 mijë e 58 euro.
Sipas Prokurorisë Speciale, kjo është bërë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik, Rregulloren dhe Udhëzimin Operativ për Prokurim Publik, si dhe me Rregullën Financiare për Shpenzimet e Parasë Publike.
Edhe
Tenderi për mirëmbajtjen e urave u planifikua për 500 mijë, u paguan 5 milionë euro
Të pandehurit akuzohen gjithashtu se kanë nënshkruar dhe certifikuar raporte të punimeve në të cilat janë paraqitur sasi shumëfish më të larta se ato të përcaktuara në dosjen e tenderit.
Sipas aktakuzës, këto punime janë realizuar pa aneks-kontratë, pa zhvilluar procedurë të re të prokurimit dhe pa verifikim të rregullt nga komisioni përgjegjës për pranimin e punëve.
Përveç përgjegjësisë penale, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që ndaj të pandehurve të shqiptohet edhe dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.
-
Denoncohet në Speciale gjetja e KOHËS për abuzimin 5-milionësh në tenderin për mirëmbajtjen e urave
-
U dhanë para për rrugë që s’u ndërtuan fare në Suharekë, aktakuzë për zyrtarë e pronarë kompanish
-
Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të “Pallatit të Rinisë” për keqpërdorim të 137 mijë eurove
-
Aktakuzë për keqpërdorim detyre dhe mashtrim në prokurim publik në Prizren