Sllavko Simiq është ulur të enjten në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Ai akuzohet për përfshirje në sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq. Sipas aktakuzës, deputeti i Listës Serbe ka urdhëruar turmën që të drejtohet ndaj gazetarëve duke thënë: “Mëshojuni mediave”. Seanca e shqyrtimit fillestar për këtë rast ka nisur me polemika mes prokurorisë dhe avokatëve
Deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq, ka dalë të enjten para Gjykatës Themelore në Mitrovicë për t’u përballur me akuzën për rolin që e ka pasur në sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq, gjatë vizitës së ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, më 16 qershor të vitit 2023.
Bashkë me të akuzohet edhe Urosh Vukashinoviq, të cilin Prokuroria e ngarkon edhe me veprën penale të sulmit.
Asnjëri nga të pandehurit nuk është deklaruar për fajësinë pasi që, sipas gjykatës, nuk i kanë pranuar shkresat e lëndës në gjuhën serbe.
Prokurorja e rastit, Ajtene Zoni, ka thënë se ekipet mbrojtëse janë ftuar për t’i marrë ato.
“Prokuroria disa herë e ka thirrur avokatin Dejan Vasiq përmes telefonit që shkresat e lëndës të vijë t’i marrë në prokurori, por që i njëjti nuk ka ardhur t’i marrë tek e njëjta”, ka thënë prokurorja.
Por këtë pretendim e kanë mohuar avokatët e Simiqit.
“Asnjëherë nuk më ka thirrur Prokuroria për të shkuar t’i merrja shkresat e lëndës, asnjëherë. Nga ana tjetër, pse prokuroria këto nuk i ka dorëzuar me postë, posta punon”, ka theksuar Dejan Vasiq, përfaqësues ligjor i Simiqit.
Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe avokati i të akuzuarit tjetër, Nebojsha Vllajiq.
“Në aktakuzë ceken si prova se janë të dëmtuara 12-13 dhe unë i kam pranuar vetëm dy deklarata, edhe ato janë në shqip dhe nuk kam marrë as raportet mjekësore për tre persona”, ka thënë avokati i të akuzuarit Vukashinoviq.
E, jashtë seancës, i akuzuari Simiq ka thënë se ndihet i pafajshëm.
“Sa herë që kam hasur në gazetarë shqiptarë në veri, kur ka pasur ndonjë protestë gjatë viteve të kaluara, gjithmonë u kam dalë në ndihmë dhe u kam dhënë mbështetje, si teknike ashtu edhe në çdo kuptim tjetër. Kështu që nuk kam absolutisht asnjë lidhje me këtë incident dhe atëherë jam deklaruar publikisht dhe e kam dënuar atë sulm”, ka theksuar ai.
Simiqi nuk ka treguar nëse do të japë dorëheqjen nga posti i deputetit në Kuvendin e Kosovës po qe se do të shpallet fajtor në shkallë të parë.
Sipas aktakuzës, anëtari i kryesisë së Listës Serbe, më 16 qershor të 2023-tës, i ka bërë thirrje turmës që t’i sulmojë mediat që raportojnë në shqip.
“I pandehuri jep urdhër duke thënë ‘mëshojuni mediave’, ashtu që sulmi vazhdon në drejtim të gazetarëve të mediumeve të Republikës së Kosovës... Fillimisht hedhin një shok-bombë, pastaj vazhdojnë t’i godasin me grushte, shqelma dhe mjete të forta – kubëza betoni, tulla, ngjyrë dhe gjësende të tjera, ku përpos dëmeve materiale në automjete, në telefona, lëndime të rënda trupore pësojnë të dëmtuarit: P. S. dhe B. B., kurse lëndime të lehta trupore pëson e dëmtuara V. Xh.”, thuhet në versionin e redaktuar të aktakuzës.
Dyshime ndaj Simiqit janë ngritur edhe për një rast tjetër. Atë, kryetarin e Listës Serbe, Zlatan Elek, dhe nënkryetarin Igor Simiq, Prokuroria Speciale është duke i hetuar për rolin në vendosjen e barrikadave në veri gjatë 2022-tës.
Pas ngritjes së aktakuzës ndaj Simiqit, në Listën Serbe kanë deklaruar se ai ka tentuar që “t’i mbrojë të gjithë të pranishmit, përfshirë ekipet mediale”. Sulmi i 16 qershorit të 2023-tës u pati dënuar nga politikanë vendorë dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Atë vit në Leposaviq dhe në tri komunat e tjera veriore, të banuara kryesisht me serbë, gazetarët kanë qenë cak i disa sulmeve teksa kanë qenë duke i mbuluar protestat e serbëve lokalë kundër zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë të komunave.
Zgjedhja e kryetarëve shqiptarë ka ndodhur pasi kryetarët serbë u tërhoqën dhe më pas partitë serbe i bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit.
Protestat e vitit 2023 kanë kulmuar me përplasjen mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Zveçan më 29 maj. Gjatë kësaj përplasjeje janë lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it dhe protestues. NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që përgjegjësit për dhunën të përballen me drejtësinë.