Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj nënkryetarit të Listës Serbe, Slavko Simiq, dhe Urosh Vukasinoviq, të cilët akuzohen për nxitjen e protestuesve për të sulmuar gazetarët shqiptarë gjatë tensioneve në Leposaviq, më 16 qershor të vitit 2023, është shtyrë në mungesë të shkresave të lëndës për të akuzuarin Slavko Simiq dhe mbrojtësin e tij.
Përveç dy të akuzuarve në gjykatore ishin prezent edhe të dëmtuarit, Dorentina Thaçi, Bardh Bekteshi, Leonard Berisha, Bashkim Gjikolli, Albin Rrahmani dhe Arton Rama, ndërsa munguan Laura Kerolli, Ardian Shala, Saranda Ramaj, Qëndresa Sinani dhe Enea Mehmeti.
Pas njoftimit të palës së akuzuar me të drejtat e tyre, kryetarja e trupit gjykues, Shqipe Sejdiu tregoi se nga avokati i të akuzuarit, Slavko Simiq ka pranuar parashtresë para se të nis seanca se nuk kanë pranuar shkresat e lëndës. Më pas, gjyqtarja kërkoi sqarime nga prokurorja e rastit, Ajtene Zoni e cila tha se e kanë telefonuar avokatin e të akuzuarit, Simiq për t’i marrë shkresat e lëndës por ky i fundit nuk është përgjigjur.
“Prokuroria disa herë e ka thirrur avokatin Dejan Vasiq përmes telefonit që shkresat e lëndës të vijë t’i marrë në prokurori, por që i njëjti nuk ka ardhur t’i marrë te e njëjta. Arsyeja pse Prokuroria nuk e di dhe nuk çon peshë për Prokurorinë derisa prokuroria të njëjtin disa herë e ka thirr me telefon meqenëse i njëjti nuk i ka marrë shkresat unë sot i kam sjell me vete për të dëshmuar se te njëjtat janë të gatshme, po ashtu e kemi fletëdërgesën të përgatitur ku janë të përfshira të gjitha shkresat e lëndës përfshirë edhe CD. Po ashtu edhe avokatin Nebojsha Vllahiq e kemi njoftuar por i njëjti ka ardhur i ka marrë shkresat e lëndës dhe e kemi edhe fletekthesën”, tha ai.
Avokati i të akuzuarit, Slavko Simiq, Dejan Vasiq tha se asnjëherë nuk është kontaktuar nga Prokuroria për të marr shkresat e lëndës.
“Asnjëherë nuk më ka thirrur Prokuroria për të shkuar për t’i marrë shkresat e lëndës, asnjëherë. Nga ana tjerët pse prokuroria këto nuk i ka dorëzuar me postë, posta punon; e treta, shkresat të cilat janë të destinuara për mua shikoni shkresat e Prokurorisë, shikoni edhe shkresat tuaja edhe na tregoni se a janë të gjitha shkresat e lëndës shikoni ato dhe krahasoni me të tuajat nuk kam asnjë problem për t’i shikuar këto shkresa dhe t’iu tregojë se këto shkresa a janë kompletuara”, tha ai.
E ndonëse shkresat e lëndë i ka pranuar ankesa për to pati edhe avokati i të akuzuarit, Urosh Vukasinoviq, Nebojsha Vllahiq.
“E kam shikuar këtë dokumentacion nuk janë komplete as një e treta nuk janë. Në aktakuzë ceken si prova se janë të dëmtuar 12-13 dhe unë i kam pranuar vetëm dy deklarata edhe ato janë në shqip dhe nuk kam marr as raportet mjekësore për tre persona”, tha ai.
Pas dëgjimit të palëve, gjyqtarja Shqipe Sejdiu njoftoi se për shkak të rrethanave të krijuara, seanca e sotme fillestare shtyhet për 9 tetor nga ora 13:30.
Pas përfundimit të seancës ankesa për prokurorinë shprehën edhe mbrojtja e palëve të dëmtuara në rastin e sulmit të gazetarëve gjatë tensioneve në Leposaviq që ndodhën në qershor të vitit 2023.
Avokati i kameramanit të RTK-së, Bardh Bekteshi, Musa Damati i cili dështimin e seancës së sotme për mungesa të shkresave të lëndës është spektakël.
“Mendoj se është një spektakël dhe ky spektakël ka mundur të evitohet lehtë me disa përgatitje të aranzhuara nga ana e gjykatës të cilat është dashur të bëhen në mënyrë që të mos dështojë seanca e sotme”, tha ai.
Ndërsa, avokati i gazetarit, Pleurat Salihu, Gazmend Halilaj tha se mospajisja e palëve me shkresa të lëndës tregon qe Prokuroria në këtë rast gjyqësor ka dështuar. Ai paralajmëroi masë disiplinore ndaj prokurores në këtë rast gjyqësor.
“Shpreh zhgënjimin tim të thellë nga prokuroria e shtetit për shkak se te njëjtit edhe pas dy vjet e tre muaj nuk kanë qenë në gjendje të kryejnë një detyrim ligjor…. Nuk kanë qenë në gjendje të na pajisin me shkresa të lëndës as ne si përfaqësues të palëve të dëmtuar, por as palëve tjera. Ne premtojmë se do të iniciojmë procedura disiplinore ndaj prokurorit të çështjes tek kryeprokurori i Prokurorisë së tij pasi për një çështje kaq të lehtë shtyhet. Një gjykim që e kemi pritur me padurim për më shumë se dy vite. Kjo tregon neglizhencën e thellë të prokurorit të shtetit, i cili që në fillim të procedurës për shkak të fajit të tij, dështon gjykimi”, tha ai.
E i akuzuari për sulmin ndaj gazetarëve në vitin 2023 në Leposaviq, deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq pretendoi se është i pafajshëm.
“Sa herë që kam hasur në gazetarë shqiptarë në veri, kur ka pasur ndonjë protestë gjatë viteve të kaluara, gjithmonë u kam dalë në ndihmë dhe u kam dhënë mbështetje, si teknike ashtu edhe në çdo kuptim tjetër. Kështu që nuk kam absolutisht asnjë lidhje me këtë incident dhe atëherë jam deklaruar publikisht dhe e kam dënuar atë sulm. Unë nuk frikësohem nga asgjë, nuk kam frikë nga asgjë, jam absolutisht i pafajshëm, drejtësia dhe e vërteta janë në anën time dhe jam i bindur se drejtësinë dhe të vërtetën do t’i dëshmoj”, tha ai.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, më 16 qershor 2023, gjatë protestës kundër vizitës së ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Simiq i ka dhënë urdhër turmës që të sulmonte mediat dhe më pas ekipet e mediave janë sulmuar me shok-bomba, grushte, shqelma e mjete të forta.
Ai akuzohet për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.
Krahas tij, të akuzuarin Vukasinoviq, Prokuroria e ngarkon edhe me akuzën për sulm./B.Ibishi/


Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës sot mbahet seanca gjyqësore në rastin ku nënkryetari i Listës Serbe, Slvako Simiq, njëherësh deputet i Kuvendit të Koosvës, akuzohet për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq më 16 qershor të vitit 2023.
Ai akuzohet se i nxiti protestuesit që t’i sulmonin gazetarët shqiptarë, që po raportonin për protestat në veri.
Sulmi ka ndodhur gjatë kundërshtimit të vizitës së ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqit, në objektin e Komunës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, më 16 qershor 2023, gjatë protestës kundër vizitës së ministrit Krasniqi, Simiq i ka dhënë urdhër turmës që t’i sulmojë mediat dhe më pas ekipet e mediave janë sulmuar me shok-bomba, grushte, shqelma e mjete të forta.
Ai akuzohet për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
Krahas tij, i akuzuar është edhe Urosh Vukashinoviqi, të cilin Prokuroria e ngarkon edhe me akuzën për sulm.
Deputeti Simiq aktualisht e ka edhe statusin e të dyshuarit për veprime antikushtetuese.
Prokuroria Speciale para disa javësh e ka konfirmuar për KOHËN se krahas deputetëve Zlatan Elek e Igor Simiq, ai është intervistuar për rastin e barrikadave të vëna në veri në 2022-tën. Simiq dyshohet për veprat penale: pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, thirrje për rezistencë dhe bashkim për veprimtari kundërkushtetuese.
Sipas statistikave të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, janë mbi 30 raste të sulmeve ndaj gazetarëve që kanë ndodhur për tri javë gjatë protestave të serbëve në 2023-tën.
Për to vetëm një person është dënuar. Në shkurt të 2025-tës, Gjykata Themelore në Mitrovicë e dënoi me 12 mijë euro gjobë Dalibor Spasiqin, i cili e pranoi fajësinë për sulm ndaj gazetarit Burim Zariqi.