22:13 - Nga janari ka përplasje të vazhdueshme mes kryetarit të Prishtinës dhe ish partisë së tij për Ndërmarrjen Publike Banesore, konkretisht për postin e kryeshefit.
Ahmeti në Rubikon të KTV-së tha se Lëvizjes Vetëvendosjes i konvenon të mbajë Nexhat Kryeziun, pasi sipas Ahmetit, ai ka premtuar punësime.
“Liridon Latifi dhe Nexhat Kryeziu kanë mbetur, ata që i ndanin lokalet në telefonat. Në Vetëvendosjen që e njoh unë, ata dy do të përjashtoheshin menjëherë”, ka thënë ai. “Aty është Nexhat Kryeziu i cili ua ka premtuar aty punësimet dhe tash dëgjova që po e ruajnë ndërmarrjen. Prej kujt?”
Nexhat Kryeziu ka qenë kryeshef ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore në tre vjetët e fundit. Para pak muajve, sipas një sqarimi nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, atij i ka përfunduar mandati mirëpo ai nuk po e lëshon postin.
Ahmeti insiston që Dërguti të mos dorëzojë postin e nënkryetares së Kuvendit
Edhe
Vetëvendosje e PSD vazhdojnë përplasjen për NPB-në, qëndrime të kundërta rreth vendimit të MZHE-së
21:38 - Shpend Ahmeti qëndron prapa insistimit që Aida Dërguti dhe PSD nuk duhet të dorëzojnë postin e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, ani pse atë e mori sa ishte pjesë e Vetëvendosjes.
“Qasjen e kanë pas me na largu prej çdo komisioni. Unë thashë, si legjitimitet politik, shkarkojeni. Ideja nuk është e inatit por e qasjes, qysh ndjehen njerëzit që kanë kontribuar në diçka. Le të vijnë të flasim për secilën ndarje të punëve që i kemi”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti ka dy vlerësime për qeverinë
21:27 - Si kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti thotë se qeveria është treguar e mirë me ligjin për Prishtinën dhe Pallatin e Rinisë.
Mirëpo, në cilësinë e kryetarit të PSD-së, ai e vlerëson si qeveri të dobët, ku më shumë fajin për gjendjen në të cilin gjendet vendi, ia atribuon PDK-së se sa vetë kryeministrit.
“Si Kosovë nuk ka shumë rezultate për të mos thënë hiç, e ka shumë rezultate negative. Disa vendime duhet të hetohen, shembull 53 milionëshi. Na e bëmë temë për 40 eurot e zyrtares së ministrisë së Arsimit”, ka thënë ai. “Kryeministri mban përgjegjësi për gjendjen në të cilin është vendi... Komunikimin me këtë qeveri dhe këtë kryeministër e kam shumë më të sinqertë se sa me të kaluarin”, shtoi tutje ai.
Ahmeti përmendi iniciativën për zgjedhje, për çka theksoi se LDK-ja nuk e ka njëmend për shkuarjen në zgjedhje.
Deri tash, ai thotë se nuk ka parë as edhe një mocion dhe nëse vërtet duan që ta rrëzojnë qeverinë atëherë duhet të mbledhin nënshkrimet dhe pastaj së bashku do të punojnë në një strategji për të gjetur edhe nënshkrimet tjera të cilat mungojnë.
“Nuk e ka njëmend LDK-ja, se nuk po duan të shkojnë në zgjedhje. Nuk po duan të marrin përgjegjësi për dialogun dhe çështje tjera. Le t’i sjellin nënshkrime”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti thotë se shumë figura të larta të VV-së e sabotonin në Prishtinë
21:00 - Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës, ka thënë se në ish-partinë e tij, Vetëvendosje, me të cilën fitoi zgjedhjet në kryeqytet, ka pasur figura të larta të subjektit që e kanë sabotuar në fushatën për të parin e kryeqytetit.
“Ta kesh parasysh për raundin e dytë se nuk mundesh edhe pa neve”, është mesazhi që Ahmeti thotë se ka marrë nga njerëz brenda Vetëvendosjes.
Ahmeti nuk pajtohet me deklaratat se Kurti është i rrezikshëm për Kosovën
Edhe
NPB-ja përplas asamblistët e Vetëvendosjes me krahun e Ahmetit
Ahmeti po ashtu ka komentuar deklaratën e Visar Ymerit dhe Dardan Molliqajt se lideri i VV-së, Albin Kurti është i rrezikshëm për Kosovën.
“Nuk pajtohem me atë konstatim, por po them se në të njëjtën kohë do të duhej që edhe Kurti të reflektojë goxha shumë për këtë që ka ndodhur”, ka thënë Ahmeti në Rubikon të KTV-së.
Ahmeti po ashtu ka thënë se sondazhet reale për PSD-në do të jenë në fund të vitit. Në një sondazh të fundit, kjo parti mori më pak se 3 për qind.
Ahmeti tregon në detaje për ndarjen nga VV-ja
20:43 - Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shpjeguar në detaje procesin e ndarjes së tij dhe një grupi nga Vetëvendosje, duke kaluar në Partinë Socialdemokrate.
Ahmeti në Rubikon të KTV-së ka thënë se brenda VV-së kishte grupe paralele vendimmarrëse për të cilat as ai si nënkryetar thotë se s’kishte dijeni.
“Dallimet mbi të ardhmen se si e shohim subjektin Vetëvendosje, ngushtimi i hapësirës së veprimit, ngushtimi i demokracisë dhe ekzistimi i grupeve paralele vendimmarrëse jashtë asaj që kemi pas si subjekt. Ndarja ka qenë për arsye të forta sepse askush nuk do e kishte bërë veç pse kishte dëshirë”, ka thënë ai. “Ka pas grupe të cilat unë nuk e kam ditur që marrin vendime. Ka qenë Albin Kurti, Dardan Molliqaj, Liburn Aliu, të cilët kanë marrë vendime dhe unë nuk e kam dit... Kjo i bie që ka pas një mosbesim të thellë ndaj meje. Edhe atëherë, kur u fjalosëm, u thashë se qëndroni bashkë dhe i harrojmë. Po kur filloi me dalë një grup i madh i deputetëve atëherë e pashë që nuk mund të rri meqë kanë pas mosbesim të thellë ndaj meje”, shtoi tutje ai.
“Atë kohë kur është zgjedh Visar Ymeri kryetar është mbajt një mbledhje e gjatë në shtëpinë e Xhelal Sveçlës se çka nëse Shpendi kandidon. Kanë thënë po e bëjmë Visarin. Visari ka thënë, në rregull po pranoj unë dhe kanë thënë po i themi një orë më herët se po bëhet Visari. Edhe ashtu ka ndodh, një orë më herët më ka thënë që unë po dalë në terren dhe mendojmë që është më mirë të jetë Visari”, ka shtuar Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se nuk kishte ambicie për të kandiduar dhe nëse do ta kishin pyetur më herët atëherë sipas tij, kjo punë do të kryhej shumë më lehtë.
“Erdhi një moment, domethënë ky grupi që donte të dilte, i thoshte Albinit, na trego vetëm me një shenjë, që kjo nuk ka të bëjë vetëm me ty po me organizatën. Na trego që ti nuk je më i rëndësishëm se krejt Kosova”, ka shtuar ai për bisedat në mbledhjen e VV-së në atë kohë.
Ahmeti ka përmendur edhe fyerjet që janë bërë në drejtim të ish-aktivistëve të VV-së.
Ahmeti: Kosova të largohet nga ideologjitë e partive të luftës, Rugovës e VV-së
Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë se Kosova duhet të kalojë nga ideologjitë e partive të luftës, duke e përmendur edhe ish-partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, të cilën e quajti “ombrellë” të disa lëvizjeve.
Edhe
Kryeziu: Aktivistët e Vetëvendosjes nuk janë favorizuar për punësim në NPB
“Theksi është te barazia sociale dhe mosdiskriminimi dhe te ekonomia e tregut që ne si e pranojmë si të tillë, por jo liri e plotë e tregut. Ne si socialdemokratë besojmë në demokraci dhe të besuarit në demokraci thotë se ne besojmë në vullnetin e “shumicës”, ka thënë Ahmeti në një intervistë në Rubikon të KTV-së.
“Duhet të kalojmë nga ideologjitë e partive të luftës, partisë së Rugovës dhe Vetëvendosjes, e cila ka qenë ombrellë e disa rrymave të lëvizjeve të bashkuara. Meqë ne vendosëm të shkojmë me socialdemokraci atëherë kemi vendos të shkojmë me një sferë më të ngushtë”, ka shtuar ai.