“Mania e dobësimit me Ozempic përfshin Kosovën, pavarësisht efekteve anësore”, mban titullin një artikull i agjencisë së lajmeve “Agence France-Presse” të martën.
Në artikull merret shembulli i influencueses Tringa Kadriu që “Ozempicun” si bar e sheh si shans për të humbur peshën e tepërt. “Dua t’i humb 15-16 kilogramë në dy muaj”, ka thënë 29-vjeçarja për AFP-në. “Dhe do të vazhdoj më pas me fitnes”.
“Ozempicu”, që është miratuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të trajtuar diabetin në vitin 2017, është përfshirë në tregjet për njerëzit që synojnë të humbin peshë.
Pavarësisht çmimit, bari ka shpërthyer në popullaritet në Kosovë, sipas AFP-së.
Autoritetet e Kosovës nuk kanë arritur ta luftojnë përdorimin e barit për humbje peshe.
Merita Emini-Sadiku, që udhëheq klinikën endokrinologjike, ka thënë se çmimet e “Ozempicut” kanë shpërthyer. “Doza mujore që dikur kushtonte 75-80 euro, tani ka mbërritur çmimin në 130-140 euro, me gjasë për shkak të kërkesës së madhe”, ka thënë ajo. Por ajo ka paralajmëruar se “‘Ozempicu’ ka efekte anësore për të cilat njerëzit nuk janë të vetëdijshëm”.
Përdorimi i “Ozempicut” mund të shkaktojë probleme duke përfshirë kancerin e tiroides, pankreatitin, gastroparezën dhe bllokimin e zorrëve, sipas studimeve të fundit, ka shtuar më tej AFP.
Ilaçi është prodhuar me qëllim të trajtimit të diabetit të tipit 2. Ai ndihmon në rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak, por edhe ndihmon në heqjen e urisë, duke ndikuar që njerëzit të kenë nevojë për më pak kalori.
AFP-ja ka folur edhe me një punonjës të një farmacie që ka pranuar se ka kërkesa të vazhdueshme për “Ozempic” pa recetë.
E një qytetar ka pranuar se ka pasur përjetim jo të mirë me “Ozempicun”. “E mora me këshillë të një mjeku për dy vjet, por nuk ka pasur asnjë efekt”, ka thënë Lulzim Rrahmani. “Thjesht humbje kohe e parash”.
Duke marrë parasysh rrezikun nga efektet anësore, Emine-Sadiku ka thënë se “Ozempicu” s’duhet të merret në asnjë rast pa recetë.
KOHA ka shkruar disa herë për shitjen pa recetë të këtij ilaçi në Kosovë.