Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Administrata Komunale e Prishtinës i është bashkuar grevës së thirrur nga BSPK-ja

Në grevën e përgjithshme të thirrur nga BSPK-ja është bashkuar edhe Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës (SPAK).

Administrata në Komunën e Prishtinës, që është pjesë e SPAK, i është bashkuar po ashtu kësaj greve.

“Edhe ne e respektojmë vendimin për grevë të përgjithshme. Greva po shkon mirë, shumica e shërbyesve civilë të Komunës i janë përgjigjur thirrjes për grevë”, ka thënë Ahmet Gashi, nga Shoqata Sindikale e Komunës së Prishtinës.

Ndërkohë kryetari i SPAK-ut , Ali Gashi, ka thënë se greva ishte zgjidhje e fundit, pasi Qeveria ka injoruar të gjitha thirrjet.

“Qeveria s’kishte disponim për të dëgjuar kërkesat tona. Kërkesat kanë qenë që Ligji i pagave të hartohet e zbatohet sa më shpejt, e deri te zbatimi të ndahen nga 100 euro për çdo zyrtarë publikë. Po ashtu kemi kërkuar të bëhet plotësimndryshimi i ligjit mbi skemat pensionale, konkretisht të hiqet kriteri diskriminues prej 15 vjet stazh pune. Po ashtu edhe zbatimi i sigurimit shëndetësorë”, ka thënë Ali Gashi.

E kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj, ka thënë se greva e përgjithshme do të vazhdojë derisa Qeveria të mos i përgjigjet kërkesave.

“Ishalla greva zgjatë sa më pak, por për këtë fjalën e ka Qeveria”, ka thënë Jasharaj.

Artikuj të ngjashëm