Arbëri

BSPK-ja shpall grevë të përgjithshme nga 25 gushti

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka shpallur të enjten grevë të përgjithshme të të punësuarve për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, ka thënë se obligohen që të hyjnë në grevë.

“Më 10 gusht 2022 BSPK-ja mbajti mbledhjen e jashtëzakonshme me qëllim të sigurisë të situatës. BSPK-ja përsëri ndjeki të gjitha rrugët ligjore drejt realizimit të kërkesave por nuk ia doli të ulet me Qeverinë dhe të gjejmë një rrugë të duhur. Prandaj sot dua t’u informojë se ligji është që na obligon të hyjmë në grevë, mu ky është shkaku që sot po e shpallim grevën e përgjithshme për shkak të mos realizimit të kërkesave”, ka thënë Hykolli.

Ai ka bërë të ditur se greva nis nga 25 gushti dhe do të zgjasë derisa të përmbushen kërkesat e tyre.

“Kërkojmë 100 euro shtesë deri sa të miratohet Ligji për Paga”, është shprehur Hykolli.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se megjithë vendimin, dyert i kanë të hapura që të ftohet këshilli grevist dhe të arrihet marrëveshja.

Sipas tij, pika kyçe për t’u bërë marrëveshja me qeverinë Kurti është të fillohet me 100 euro mbështetje deri në miratimin e Ligjit për Pagat.

“Pika kyqe për tu bërë marrëveshje me qeverinë Kurti është të fillohet me 100 euro mbështetje për shkak se kemi ngritje të tmerrshme të çmimeve”, ka thënë Jasharaj.