Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në përvjetorin e Betejës së Koshares, ka përkujtuar ata që dhanë jetën për liri.
Abdixhiku tha se thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar është triumf ushtarak i UÇK-së.
“Mes heronjëve të rënë që kanë gjetur pavdekësinë, me të gjallët dhe kujtimet e tyre për mëngjesin që mbanë datën 9 prill, shënuam 24 vjetorin e Betejës së Koshares dhe triumfit ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në thyerjen e kufirit shqiptar. Kosharja sot na qëndron si tempull rikujtimi për gjithë sakrificën e djemve e vajzave të vendit për të sotmen tonë dhe të ardhmen e brezave që vijnë. Na qëndron si shenjë rikujtimi se çdo ditë e jona sot, është detyrim shërbimi ndaj atdheut tonë të shenjtë - Kosovës. Sot, nderojmë Agim Ramadanin, Sali Çekajn, Xhemajl Fetahajn, Abaz Thaçin, dhe secilin hero të rënë në altarin e lirisë. Kosharja, vendi i fundit i tyre, është themel i lirisë sonë. Nderojmë po ashtu, gjithë të rënët e huaj në rrugëtimin tonë drejt lirisë; nderojmë francezin Paillard Arnaud Pierre, algjerianin Murad Muhammad Ali e italianin Francesco Giuseppe Bider. Nderojmë të shkuarën tonë të lavdishme e të dhimbshme. Lavdi!” – tha Abdixhiku.