Është mbajtur Akademia Përkujtimore me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe ditës së rënies së heroit të Kosovës, Agim Ramadani, ku u vlerësua roli i tij dhe i luftëtarëve të UÇK-së në luftën për liri dhe shtetndërtim.
Në këtë aktivitet u theksua rëndësia historike dhe simbolike e Betejës së Koshares, si një nga momentet kyçe që shënoi thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe forcimin e rrugës drejt çlirimit të Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNënkryetari i parë i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, tha se ndonëse sot nuk dëgjohen krismat e luftës, fryma e asaj beteje vazhdon të jetë e pranishme në jetën e përditshme.
“Sepse nuk jemi në Koshare, por atë që na e solli Kosharja është e pranishme këtu mes nesh. Është e pranishme në mënyrën si jetojmë sot dhe si lëvizim lirshëm”, tha ai.
Gola shtoi se thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar ishte arritja më e madhe e kësaj beteje, duke theksuar se ajo nuk ishte vetëm operacion ushtarak, por edhe ndryshim në vetëdijen kolektive.
Në emër të Qeverisë së Kosovës, ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, vlerësoi figurën e Agim Ramadanit si simbol të guximit dhe sakrificës.
Ai shtoi se UÇK-ja përfaqësonte formën më të lartë të rezistencës së popullit shqiptar dhe një përpjekje të drejtë çlirimtare që hapi rrugën drejt lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
“Agim Ramadani mbetet figurë e veçantë edhe sepse te ai bashkoheshin si rrallë ndonjëherë ndjeshmëria e njeriut krijues dhe disiplina e ushtarakut profesionist. Kjo e bën edhe më të fuqishme trashëgiminë që ai na ka lënë... UÇK-ja ishte shprehja më e lartë e rezistencës së popullit tonë kundër shtypjes, kundër dhunës dhe kundër mohimit të të drejtave themelore. Ajo e ktheu kërkesën për liri, më falni, në qëndresë të organizuar dhe u bë bartëse e një përpjekjeje të drejtë çlirimtare që hapi rrugën drejt lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës”, tha ai.
Ndërsa ish-komandanti i UÇK-së, Anton Quni, theksoi dimensionin e veçantë të figurës së Agim Ramadanit, duke e cilësuar atë si më shumë se një emër në historinë e luftës.
“Ai asnjëherë nuk u mjaftua duke sfiduar kufijtë fizikë që ndanin shqiptarët, por edhe kufijtë e asaj që mund të arrijë një qenie njerëzore brenda një jete të vetme. Agim Ramadani nuk është thjesht një emër në listat e dëshmorëve dhe heronjve. Ai është arkitekti i thyerjes së madhe. Agimi është një paradoks i bukur. Si ushtarak karriere, ai zotëronte disiplinën dhe ftohtësinë e duhur për betejë. Por, brenda asaj uniforme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rrihte zemra fisnike e një poeti dhe piktori. Ai e dinte se liria nuk mbrohet vetëm me plumb, por edhe me kulturë dhe identitet. Brusha e tij pikturonte peizazhet e Kosovës, ndërsa vargu i tij profetik na kujtonte se edhe vdekja është e bukur kur i detyrohesh lirisë. Agimi iu përgjigj kushtrimit legjendar të Adem Jasharit që ushtonte nga Prekazi në çdo cep të trojeve dhe në çdo cep të mërgatës. Ai iu përgjigj uratave të nënave që përcillnin djemtë në luftë dhe vajit të fëmijëve që kërkonin qiell pa tym e pa barut. Për Agimin, liria nuk ishte opsion, por ishte amanet”, tha ai.
Jeton Ramadani, djali i heroit Agim Ramadani, ka bërë thirrje për unitet dhe ruajtje të vlerave të luftës, duke theksuar se sakrifica e dëshmorëve duhet të vazhdojë të jetojë përmes ndërtimit të shtetit. Ai theksoi se lufta nuk përfundon me armë, por vazhdon përmes mënyrës së jetesës dhe angazhimit për shtetin.
“Babi nuk jetoi për vete. Ai jetoi për lirinë, dhe atë rrugë e ndau me juve. Ju ishit forca e tij, arsyeja pse ai nuk u ndal kurrë. Sot pas 27 vitesh, ai është krenar me ju. Ju që qëndruat, që nuk u përkulët, që nuk e latë rrugën në mes. Sepse lufta nuk mbaron me armë, ajo vazhdon në mënyrën se si jetojmë dhe si e duam njëri-tjetrin dhe si e ndërtojmë shtetin tonë. Për mua, ju jeni vazhdim i tij. Sot Kosova ka nevojë për ju, për unitetin, për vendosmërinë, për dashurinë ndaj atdheut. Në emër të familjeve të dëshmorëve ju lutem qëndroni bashkë, mos lejoni që sakrifica të zbehet. Ndërtoni shtetin ashtu siç e ëndërruan ata që dhanë gjithçka. Ata jetojnë në ne. Lavdi komandantit, lavdi juve që ruani dhe ndërtoni këtë shtet”, tha ai.