Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.
Abdixhiku në takim me Abbottin ka thënë se “Kosovës, në këtë moment, i duhen të gjithë miqtë e saj” dhe se “përplasja me ta është devijim strategjik e dështim diplomatik me pasoja afatgjate”.
“Kryetari Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Abbott për qëndrimin e LDK-së për tensionet në veri si dhe nevojën që në momente të tensioneve e provokimeve nga Serbia, ecja e përbashkët me aleat për të përballuar një krizë është domosdoshmëri. Në këtë moment, Kosovës i duhen gjithë miqtë e saj; përplasja me ta është devijim strategjik e dështim diplomatik me pasoja afatgjata. Kryetari Abdixhiku ka falënderuar ambasadorin Abbott dhe Britaninë e Madhe si partner strategjik për rolin dhe kontributin e saj në forcimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
LDK-ja ka reaguar edhe më herët pas paralajmërimeve nga ndërkombëtarët për sanksione ndaj Kosovës nëse nuk pranon propozimin për shtensionimin e situatës në veri.