Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Abdixhiku për marrëveshjen në Ohër: Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka akuzuar për mashtrim dhe humbje të një mundësie historike kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas marrëveshjes së arritur në Ohër me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Abdixhiku ka thënë se kauza politike e rreme e Kurtit, që sipas tij, i ka kushtuar Kosovës tmerrësisht shumë, ka përfunduar sonte

“Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike - ky është epilogu i Kurtit si kryeministër në dialog. Një kauzë politike e rremë - që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë - përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjesht u zhbënë”, ka shkruar kreu i LDK-së në Facebook.

Abdixhiku ka thënë se Kurti i solli Kosovës sot një marrëveshje me Asociacion, pa njohje e jo finale.

“Përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me Asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin tonë, është e pariparueshme më”, ka shkruar Abdixhiku.

Kosova e Serbia u pajtuan për aneksin e zbatimit të marrëveshjes Kosovës-Serbi, që është publikuar pak më parë.