Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Opozita akuzon Kurtin për “gabim historik”

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, kanë thelluar akuzat ndaj kryeministrit Albin Kurti, rreth një javë pasi ai pranoi Planin evropian për dialogun. Abdixhiku tha se Kurti bëri gabim historik kur u pajtua me përmbajtjen e atij dokumenti, ndërsa Çitaku theksoi se ai e degradoi procesin

Përfaqësues të partive opozitare kanë rritur dozën e akuzave ndaj kryeministrit Albin Kurti, pas pranimit që ai i ka bërë Planit evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Në një tubim të Lidhjes Demokratike në Gjilan, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, tha se dakordimi me përmbajtjen e këtij dokumenti është lëshimi më i madh që ka bërë Kosova dhe e kualifikoi atë si gabim historik.

“‘Pa paragjykim ndaj statusit’ – kështu nis marrëveshja e Kurtit me Vuçiqin. Ky formulim, në preambulë, neutral ndaj statusit, është lëshimi më i madh i bërë ndonjëherë në procesin e dialogut. Është barazim i refuzimit serb ndaj pavarësisë me vetë aktin e shpalljes së Pavarësisë. Madje edhe marrëveshja e fusnotës kishte referencë interpretimin e GJND-së ndaj Pavarësisë sonë. Ky është një gabim historik”, ka thënë Abdixhiku

Ndërkaq, nënkryetarja e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku, tha në një intervistë për Kosovapress se kryeministri Kurti e ka degraduar dialogun me Serbinë dhe ka bërë kalkulime të gabuara në këtë proces.

“Tash do të kemi një status qou të re, kryeministri ka bërë një kalkulim të gabuar, ka menduar se duke rihapur marrëveshjet e vjetra do të ndryshojë formatin e dialogut dhe rezultatin. Por fatkeqësisht ai vetëm e ka degraduar atë dhe ne sot kemi një marrëveshje që do të prodhojë një status qou të re, mirëpo nuk e përmbyll procesin e dialogut me Serbinë”, ka thënë Çitaku.

Edhe Kurtit i kërkohet transparencë rreth draftit evropian për statutin e Asociacionit LAJMET E MBRËMJES Kurtit i kërkohet transparencë rreth draftit evropian për statutin e Asociacionit

Kryeministri Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq u dakorduan verbalisht të hënën në Bruksel me Planin evropian për dialogun. Sipas Kurtit, përmbajtja e tij ofron njohje de-facto për shtetin e Kosovës.

Abdixhiku e Çitaku kanë hedhur akuza edhe për pjesët e Planit evropian që u referohen kompetencave të zgjeruara për komunat me shumicë serbe.

“Në marrëveshjen me neutralitet ndaj statusit e me tejkalim të së kaluarës si vlerë, kryeministri i Kosovës i ka hapur dy dyer të rrezikshme për vendin. E para ka të bëjë me një organizim vetmenaxhues që është më shumë se Asociacion. E dyta ndërsa me statusin politik të Kishës Ortodokse Serbe. Shihni problemet në vendet fqinje për të kuptuar përmasën e këtij lëshimi”, ka thënë Abdixhiku.

Çitaku, ndërkaq, ka thënë se neni shtatë i Planit evropian e hap pakon gjithëpërfshirëse të presidentit Ahtisari, mbi të cilin është ndërtuar rendi kushtetues dhe ligjor në Kosovë. Për këtë pikë tha se flet për një autonomi për serbët e Kosovës.

“E dyta, elementi i ri ishte çështja e Kishës Ortodokse Serbe. Ne besojmë që kjo çështje është rregulluar shumë mirë me pakon e presidentit Ahtisari dhe infrastrukturën ligjore ekzistuese në Kosovë. Tendencat janë që të krijohet një etnitet të ngjashëm me atë që e kemi parë në Mal të Zi, kjo është e qartë se kryeministri është dakorudar për këtë çështje”, ka thënë ajo dhe ka folur edhe për një pikë tjetër. “Pika e 11 flet për aneksin e implementimit dhe është e qartë se palët janë pajtuar edhe për këtë çështje... Autonomia e tejkalon Asociacionin, nuk ka fije dyshimi. Për implementimin e marrëveshjes për Asociacionin ekziston një nen i veçantë në kuadër të dokumentit”.

Edhe Abdixhiku për marrëveshjen në Ohër: Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike Arbëri Abdixhiku për marrëveshjen në Ohër: Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike

Asociacioni i komunave me shumicë serbe ishte pranuar në 2013-n, nga kryeministri i asaj kohe, Hashim Thaçi, i cili e drejtonte PDK-në, subjekt ku Çitaku është nënkryetare. Ndërkaq, parimet mbi bazën e të cilave do të themelohej Asociacioni ishin nënshkruar në 2015-n nga kryeministri në këtë kohë, Isa Msutafa, kryetar i LDK-së, pas dorëheqjes së të cilit në krye të partisë u vu Abdixhiku.

Gjatë raportimit për dialogun në Kuvend, kryeministri Kurti ka thënë një ditë më parë se vështirësitë më të mëdha në përballje me Vuçiqin ia shkaktojnë lëshimet e bëra në proces nga qeveritë e drejtuara nga PDK-ja e LDK-ja.