Me një mocion të Lidhjes Demokratike, para deputetëve të Kuvendit ka raportuar kryeministri Albin Kurti, lidhur me takimin që të hënën pati në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Opozita e akuzoi atë se ka pranuar një marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Por, kryeministri Kurti tha se në këtë proces nuk do t’i bëjë gabimet e qeverive të kaluara. E, e kaluara politike e disa deputetëve solli debatin më të nxehtë në këtë seancë.
Kryeministri Albin Kurti është përballur në Kuvend me kritika e akuza të opozitës, për Planin evropian për dialogun, të cilin e pranoi në takimin që të hënën e pati në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai raportoi për tri orë para deputetëve, pas një kërkese të atypëratyshme të Lidhjes Demokratike për interpelancë.
Kryeministri dhe liderët e partive kryesore polemizuan për disa nga pikat e Planit që do ta përbëjë bazën e dialogut.
“Ai pajtohet të tejkalojë trashëgiminë e së kaluarës, të tejkalojë, historinë e përgjakshme e shtypëse të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Dhe jo vetëm kaq, në një rast të paprecedent, Kosova pajtohet me pa paragjykimin rreth statusit të vet politik”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Ky qëndrim është i pasaktë, i padrejtë, i pavërtetë. Një ndër insistimet kryesore të miat ka qenë që një marrëveshje bazike pa elementin e drejtësisë tranzicionale nuk mund e as nuk guxon të bëhet”, u përgjigj Kurti.
“Ky neni 7 rrezikon ta sjellë një autonomi politike dhe substanciale”, deklaroi Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së.
“Ajo që kam premtuar e pranuar është që komuniteti serb në Kosovë të trajtohet sipas nenit 22 të Kushtetutës, e cila e ka pjesë të saj Konventën Kornizë. Kushdo që thotë që kjo është një përbërës shtesë, apo që nënkupton diçka shtesë, e ka gabim”, u përgjigj kryeministri.
E përfaqësues të së vetmes parti opozitare që i dhanë më herët mbështetje kryeministrit për pranimin e Planit evropian tani nuk besojnë se ai ka guximin ta nënshkruajë.
“Unë dyshoj qe në fund të fundit ke me u tërheqë. Siç je tërheqë në krejt çështjet tjera”, tha Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së.
Ligjvënësit opozitarë folën edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin thanë se do ta zbatojë kryeministri. E, Kurti u kundërpërgjigj.
“Gabimet politike, historike të qeverive të kaluara nuk do të përsëriten asnjëherë, përkundrazi do të bëj përpjekje maksimale që ato gabime politike, historike të qeverive të kaluara t'i eliminoj, apo së paku t'i reduktoj”, tha Kurti.
Mes deputetëve përshkallëzoi debati për të kaluarën politike.
“Z.Abdixhiku, si ministër nuk të kam dëgjuar asnjëherë të vetme të ngrisësh zërin për minishengenin, për moratoriumin”, deklaroi Mimoza Kusari-Lila, shefe GP-së së VV-së.
“Ish-këshilltares së Bajram Rexhepit të PDK-së, të ndjerit, ish-nënkryetares të Behgjet Pacollit në AKR, ish-zëvendëskryeministres së Hashim Thaçit në qeveri, ish-partneres së koalicionit dhe deputetes së Isa Mustafës në LDK dhe shefes aktuale të deputetëve të Albin Kurtit, nuk mund t’i flas për një çështje që nuk e kupton dhe që është moraliteti dhe kurrizi politik”, deklaroi Abdixhiku.
“Sa i përket gjuhës seksiste mizogjene që e përdorni ndaj një gruaje mundoheni të bëni asociimin e një gruaje me burrat tjerë”, vazhdoi Kusari-Lila.
“Zelli i saj për t’iu shërbyer shefave që i ka ndërruar vazhdimisht është i gërditshëm, është i poshtër. A din çfarë bën kjo? Kush i ka gjasat më të mira u shkon prapa”, u shpreh Avdullah Hoti i LDK-së.
“Ju lumtë që për një çështje të vetme u bashkërenduat me z.Abdixhiku, në sulmin ndaj meje, sepse për të gjitha të tjerat vërehen kundërshtitë tuaja”, iu përgjigj Kusari-Lila.
Në orën 16:00 kryeministri u largua nga seanca ashtu siç i paralajmëroi deputetët, porse ua dha një propozim që të ktheheshin në orën 22:00 në seancë.
Me disa vështirësi u vendos që deputetët ta vazhdojnë debatin në atë kohë.
Pas caktimit të interpelancës për dialogun, mbetën pa u shqyrtuar 52 pika që ishte planifikuar të shqyrtoheshin në këtë seancë.