Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kuvendi i partisë i thirrur më 31 janar nuk është krizë, por mundësi.
Ai ka thënë se është mundësi për t’u dëgjuar, për t’u bashkuar rreth vlerave dhe për të dalë më të fortë nga ky proces.
“LDK ka kaluar shumë sfida dhe gjithmonë ka ditur të ruajë boshtin e saj: demokracinë, dinjitetin dhe besimin te anëtarësia. Edhe kësaj here do të dalim më të bashkuar dhe më të gatshëm për sfidat që na presin, pa i llogaritur fatet tona individuale. Aq më pak timin. Në LDK nuk i ikim asnjëherë përgjegjësisë. As kur është e lehtë, e sidomos kur është e vështirë. Sepse kjo shtëpi nuk është ndërtuar për rehati personale, por për shërbim dhe për përgjegjësi ndaj një ideali më të madh se secili prej nesh. Prandaj, me përgjegjësi përballemi; para anëtarësisë. Pas 31 janarit, LDK do të ecë përpara më e qartë, më e bashkuar dhe më e përgatitur për betejat që na presin”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, në konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së të hënën ka treguar se është caktuar më 31 janar Kuvendi dhe atje do të kërkojë votëbesimin.