Arbëri

Abdixhiku-Kurtit: Je uzurpator i institucioneve të shtetit me vendim të Supremes

Lumir Abdixhiku

Foto: Driton Paçarada

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, derisa ka renditur disa nga çështjet që, sipas tij, duhet thënë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se ky i fundit është uzurpator i institucioneve shtetërore me vendim të Gjykatës Supreme. 

Kjo pasi Abdixhiku ka thënë se ai bashkë me anëtarët tjerë të kabinetit qeveritar po e mbajnë edhe postin e deputetit, por edhe pozitat në Qeveri. 

“Unë dhe LDK-ja e kemi shumë të qartë. Albin Kurtit duhet t’i thuhet respekto vendimin e Gjykatës Kushtetuese që të garanton qartë jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë për të krijuar shumicë. Albin Kurtit duhet t’i thuhet respekto vendimin e prerë të Gjykatës Supreme që të ndalon ty, ministrat e tu dhe të gjithë kabinetin të jeni në të njëjtën kohë deputetë dhe anëtarë të qeverisë. Je uzurpator i institucioneve të shtetit tash me vendim të Gjykatës Supreme dhe po qëndron aty vetëm e vetëm sepse ky vend ende nuk është i pjekur që të ketë një prokurori dhe një polici që ia ndalon të bëjë një gjë të tillë”, ka thënë Abdixhiku në fjalimin e tij pas dështimit të 54-t të vazhdimit të seancës për konstituimin e Kuvendit.

Ai ka shtuar se refuzimi i bashkëpunimit me Kurtin është  një nga vendimet më kombëtare të partisë së tij.

"Unë besoj se në politikë jemi të gjithë kalimtarë. Lëmë shenja aty-këtu. Por e them me bindje se refuzimi për të bashkëpunuar me politikën që Albin Kurti sot përfaqëson është një nga vendimet më kombëtare që kemi marrë ne si LDK", është shpreur ai.

Abdixhiku ka shtuar se LDK-ja ka refuzuar bashkëpunimin sepse në përpjekjen e saj politike e ka më të rëndësishme përgjegjësinë shtetërore.

“E kemi refuzuar bashkëpunimin me të sepse në përpjekjen tonë politike ka diçka shumë më të shenjtë, ka diçka më me vlerë sesa pozitat tona individuale, i thonë përgjegjësi shtetërore. Përgjegjësi për të mos vazhduar e mos validuar një politikan që nuk e respekton Gjykatën Kushtetuese, që nuk e respekton Gjykatën Supreme, që nuk e respekton ligjin, Prokurorinë Speciale, ligjin e shtetin tonë. Nuk e respekton Republikën, vendin ku po plakemi ne e po i rrisim fëmijët tanë. Ky shtet, ligjet e tij, kushtetuta e tij, gjykatat e tij, duhet të respektohen siç respektohen ato ku Albin Kurti e rritë familjen e tij”, ka thënë ai.

Lexo përditësimet tjera
Kuvendi i Kosovë seanca e natës 26 korrik

Dështon përpjekja e natës për konstituim, sytë nga Kushtetuesja