Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka lavdëruar deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Doarsa Kica-Xhelili, por nuk ka dhënë përgjigje konkrete nëse ajo ka kaluar apo do t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës në ditët në vijim, siç u raportua në media gjatë së mërkurës.
Abdixhiku teksa ka përmendur Kica-Xhelilin, ka thënë se LDK-ja është e hapur për njerëzit profesionistë e më të mirë që i ka Kosova.
Ai shtoi se secila parti do ta kishte nder që ta kishte pjesë të vetën deputeten e VV-së.
“Deputetja Doarsa është një prej deputetëve më profesionistë që Kuvendi ka, ka treguar integritet të lartë në çdo temë që ka trajtua deri tani. Kemi thënë në vazhdimësi që jemi të hapur për njerëzit profesionistë më të mirë që i ka Kosova. Për çdo informacion të ri në këtë çështje do merrni vesh nga LDK-ja sa më shpejt. Është deputete me integritet të lartë dhe çdo parti do ta kishte nder ta ketë në radhët e veta”, tha Abdixhiku.
I pyetur nëse LDK-së do t’i bashkëngjiten deri në tetë persona siç është thënë nga zyrtarë të partisë, Abdixhiku ka mohuar një gjë të tillë duke theksuar se në LDK do të kalojnë “individë të caktuar”.
“Nuk do kemi interesime grupore, 7-8 janë grupe, ne po flasim për njerëz profesionistë, njerëzit më të mirë që i ka Kosova të bëhen pjesë e LDK-së. Besojmë se këta njerëz do vijnë në LDK dhe gjejnë shtëpinë brenda LDK-së. Nuk po flasim për grupe, për masë, po flasim për individë. Janë më tepër diskutime mediatike se qëndrime tona politike”, ka thënë ai.