Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike, ka thënë se “ua zgjat dorën për dëmet që ia kanë shkaktuar Kosovës” gjashtë deputetëve të këtij subjekti, që kundërshtuan marrëveshjen me Vetëvendosjen për Bekim Sejdiun president.
Një ditë më parë, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Janina Ymeri, Armend Zemaj e Kujtim Shala dolën kundër marrëveshjes që kryetari i këtij subjekti e arriti me Vetëvendosjen për të propozuar Bekim Sejdiun për president. Madje marrëveshja u mbështet edhe nga Kryesia e partisë. Pa këto vota, votimi i Sejdiut duket i paarritshëm nëse nuk përfshihen parti të tjera shqiptare.
Në konferencën për shtyp të martën Abdixhiku i ka kritikuar këta deputetë duke paralajmëruar edhe masa ndëshkuese. E të mërkurën në Facebook, ai ka thënë se nuk e kupton për çka “po rrahin gjoks” këta deputetë. Sipas Abdixhikut, me këtë refuzim ata janë përcaktuar për ta çuar Kosovën edhe në një palë zgjedhje të reja.
“Dje nuk u refuzua asnjë marrëveshje qeverisëse me VV-në, sepse një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte. LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në OPOZITË. Të gjithë deputetët tanë ishin pajtuar me këte pozicion. Prandaj, për çfarë po rrahin gjoks? Çfarë paskan shpëtuar? Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja. Dëm mund të bëjë çdo kush. Për këtë, ja dora!”, ka shkruar Abdixhiku.
Tutje ai i ka akuzuar këta deputetë edhe për rënien në 12 për qind në vitin 2012. Abdixhiku ka thënë se zgjedhjet e reja s’kanë qenë agjendë e LDK-së, por e grupeve të tjera politike.
Edhe
Nga VV-ja akuzojnë 6 deputetët e LDK-së për “frymë Thaçiane”
“Por siç ju kam thënë në vitin 2020, kur u verbuat dhe sollët LDK-në në 12%; po ju them dhe tani, ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së. Se si nuk e shihni këtë, se si nuk ndjeni këtë fat, se si ndiheni të përmbushur nga lëvdatat e atyre që gjithë jetën janë anti-LDK, këtë nuk e kuptoj! Zgjedhjet e reja nuk kanë qenë agjendë e LDK-së. Nuk kanë qenë as kërkesë dhe as vendim i anëtarësisë sonë. Por tash e sa muaj, ato kanë qenë agjendë e qartë e grupeve të tjera politike, të cilat, siç duket, tashmë po ndikojnë edhe në rrjedhat tona me sukses. Për këtë ndiej vetëm keqardhje! Por jo dorëzim. Je shumë. Jemi në të drejtë. E kemi detyrim. Republika megjithatë do të triumfojë!” ka përfunduar ai.
Këta deputetë kundërshtues kanë thënë se janë kundër zgjatjes së pushtetit kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.