Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kalimin e tash ish-deputetes së Listës Guxo, Doarsa Kica Xhelilii.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se kësaj partie iu bashkua një politikane aktive e profesioniste e shquar.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se shkuarja e saj në LDK është vlerë.
“Me Doarsën kemi biseduar gjatë mbi politikën, aktivizmin dhe vizionin e Lidhjes tonë për vendin. Pikëpamjet e saj për Kosovën, për të tashmen e të ardhmen e brezave të këtij vendi - për drejtësinë në veçanti - janë vlera që provojmë t’i shpërfaqim me këmbëngulësi në çdo veprim tonin politik. Kemi folur për LDK-në, idetë tona përpara dhe nevojën e ndërtimit të kësaj rruge së bashku me më të mirët e vendit. Ky është qëllimi ynë; Doarsa është e tillë, prandaj dhe rrugëtimi ynë i natyrshëm. Ajo ka shumë për t’i dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtarësisë sonë e idealeve tona të përbashkëta në rrugën e gjatë që na pret përpara”, ka shkruar ai.
Ai tutje ka treguar Doarsa Kica Xhelili ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
“Si bursiste e Loyola University në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo mori titullin Magjistre e Sundimit të Ligjit për Zhvillim, në qendrën e këtij universiteti në Romë. Doarsa, përveçse aktiviste e shoqërisë civile, ishte dhe avokate e shquar brenda dhe jashtë Kosovës. Përvoja e saj në këtë drejtim, e bën atë një aset të çmuar të shoqërisë sonë”, ka shkruar ai.
Edhe
Në LDK s’presin aderime të reja
Abdixhiku ka thënë se përgjatë kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës, Doarsa ka shërbyer si kryetare e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, si dhe anëtare e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër-Korrupsionit.
"Puna e saj aktive dhe profesionale në komisione dhe në publik, ka shtyrë përpara nisma që kanë marrë mbështetje të gjerë qytetare në vazhdimësi. Doarsa jeton në Prishtinë; është e martuar dhe nënë e një vajze”, ka shkruar tutje ai.