Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i ka kërkuar dorëheqje Qeverisë së Kosovës pas zhvendosjes së Festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë. Por dega e kësaj partie në Prishtinë kishte votuar kundër që “Sunny Hillit” t’i jepej toka komunale për shfrytëzim, për 99 vjet.
Sipas Tahirit, Kosova e humbi një festival që e promovonte vendin, për të cilin gjashtë asamblistët e AAK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës kishin votuar kundër që t’i jepej toka në shfrytëzim në seancën e 10 majit.
“Sot, paradite fola për vendimmarrjen shumë të ngadalshme të Qeverisë së Kosovës, kabineti qeveritar më kqyrke çka po them. Tash qe edhe deklarata zyrtare që në mungesë të ekspedivitetit dhe dinamikës së mirëfilltë në punë, e humbëm një festival që e patëm në promovim të Kosovës - atë të Sunny Hill. Shkoi në Tiranë. Me këtë qasje totalisht fëmijërore dhe joserioze, se di ku është nisur kjo qeveri. Dorëheqje për ‘Qeverinë Breshka’ “, ka shkruar ai në Facebook.
“Sunny Hill” nuk do të organizohet në Prishtinë sivjet. Ky festival do të zhvendoset në Tiranë. Organizatorët kanë fajësuar institucionet e shtetit për dështimin e organizimit në Kosovë.
Deri të martën ka qenë afati që institucionet në Kosovë t’i përgjigjen për dhënien në shfrytëzim të lokacionit. Në njoftimin zyrtar të Festivalit është konfirmuar se zhvendosja në Tiranë është bërë për shkak të vonesave për përgjigje nga autoritetet për dhënien e lejes së pronës për shfrytëzim.