Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që t’i ftojë në një takim krerët e partive politike, shkaku i situatës në veri të vendit.
Tahiri në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën, ka thënë se temat e sigurisë kanë qenë preokupim dhe angazhim i vazhdueshëm i tyre dhe se ata janë duke i adresuar ato nëpërmjet interpelancave, punës në komisionet e Kuvendit, pyetjeve parlamentare dhe debateve.
“Në emër të AAK-së e ftoj kryeministrin Kurti që urgjentisht të thërras në një takim krerët e partive politike parlamentare, për të diskutuar dhe për të çuar një mesazh të bashkimit dhe unitetit politik karshi gjendjes në vend. Planet djallëzore të Serbisë, tani më i kanë kaluar vijat e kuqe, si rrjedhojë, uniteti në këto situata është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka theksuar Tahiri.
Ai ka thënë se viti 2022 është karakterizuar me paqartësi dhe pasiguri në disa rrafshe, si në atë politik, të sigurisë, social, ekonomik, e para së gjithash për drejtimin e vendit. “Krejt këto edhe pse në pamje të parë si veprime të ndara, kanë ndikuar në esencë në tri dimensione: e para, të instalimit më të madh të kontrollit partiak mbi shtetin; e dyta, në rritjen paqartësive e përplasjeve me aleatët, për pasojë rrezikim të sigurisë dhe arritjeve si vend; dhe treta, në mungesë të menaxhimit të krizave të importuara, janë prodhuar kriza socio-ekonomike të brendshme”, ka thënë Tahiri. /EO