Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

​AAK-ja pritet të propozojë rezolutë për dorëheqjen e Qeverisë

Besnik Tahiri

Foto: Arkiv

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar një kërkesë në Kuvendin e Kosovës për debat në trevjetorin e Qeverisë Kurti ku edhe do të prezantojë një rezolutë në të cilën thuhet se janë plotësuar të gjitha kushtet që Qeveria të përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje, duke e votuar Kuvendi i Kosovës mocionin për shkarkimin e qeverisë dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

Në një konferencë për media, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kanë përgatitur një kërkesë për debat për keqqeverisje, duke akuzuar Qeverinë se e ka kthyer Kosovën në pikën më të errët që nuk e ka besuar askush ndonjëherë.

“Ne kemi përgatitur një kërkesë për një debat parlamentar në trevjetorin e kësaj keqqeverisje, e cila realisht ka arritur t’i bëjë vetëm dëme Kosovës dhe ta kthejë në pikën më të errët që nuk e ka besuar askush ndonjëherë”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se ajo qe e ka karakterizuar Qeverinë Kurti është se nuk i ka qëndruar prapa asnjë vendimi.

“Mirëpo unë jam i kënaqur që dje kryeministri Albin Kurti e tha edhe vetë dhe e ka kuptuar edhe vetë se ai duhet të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Kur në fillim të këtij mandati, kryetari Haradinaj thoshte se ky është një mashtrues, njerëzit shikonin me habi të madhe. Ajo çka karakterizohet këto tri vjet është me të vërtetë një qeverisje që nuk i qëndron asnjë vendimi mbrapa dhe siç e patë edhe vetë, kryeministri u dorëzua në mandatin e tij të tretë dhe duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje”, u shpreh ai. /EO/KP

Artikuj të ngjashëm