Arbëri

AAK-ja gjobitet me 2.000 euro për shkeljen e masave anti-COVID në Prizren

Dega e AAK-së në Prizren është gjobitur me 2.000 euro nga inspektorati për shkak të shkeljes së masave anti-COVID në tubimin e mbajtur të mërkurën në Kompleksin muzeor të Lidhjes së Prizrenit.

Drejtori i Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, Edon Muçaj, ka njoftuar për gjobitjen e këtij subjekti politik përmes rrjeteve sociale.

“2.000 euro gjobë për AAK. Ruani shëndetin e qytetarëve të Prizrenit! Do të jemi të barabartë për çdo subjekt politik!”, ka shkruar Muçaj.

Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinarisë bashkë me inspektorët e Komunës së Prizrenit patën gjobitur me 2 mijë euro edhe degën e PDK-së në Prizren, për shkak të shkeljes së masave anti-COVID në tubimin e mbajtur të martën mbrëma.

Komuna e Prizrenit pati njoftuar se “gjobat do të shqiptohen vetëm me daljen e inspektorëve në vendngjarje”.

Gjoba partive për shkelje të masave, deri më tash ka ndarë edhe inspektorati i Komunës së Prishtinës. Komunat tjera të paktën nuk kanë njoftuar për ndonjë gjobë për shkelje të masave anti-COVID.

Sipas masave në fuqi, në hapësira të mbyllura lejohet, maksimumi, tubimi i 30 personave, ndërkohë në hapësira të jashtme deir në 50.

Ditëve të fundit, ka pasur raste kur partitë kanë mbledhur qindra veta në hapësira të mbyllura, pa maska e pas distancë.

Para dy ditësh, edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë thirrje për ndalim të tubimeve në masë.

Image