Arbëri

99 vjet në shfrytëzim, Komuna duhet ta kompensojë Festivalin për tokën e vet

Festivali që mblodhi rreth 50 mijë vizitorë për 3 ditë në vitin 2018, gjatë kohës kur mbahej në Gërmi, tani do të zhvendoset në këtë fshat të kryeqytetit.

17 hektarë tokë ia ka ndarë Komuna e Prishtinës “Sunny Hillit” me të drejtë shfrytëzimi për 99 vjet, aq sa e lejon edhe Ligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës me numër 04/L-144.

Sipas nenit 3 të këtij ligji, afati kohor për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme të Komunës është periudha nga një (1) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet, ndërsa afati kohor për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të Komunës është periudha kohore prej pesëmbëdhjetë (15) deri në nëntëdhjetë e nëntë (99) vjet.

Sipas marrëveshjes së arritur në mes të Komunës së Prishtinës dhe “Sunny Hill SH.P.K”, marrësi në shfrytëzim përveç organizimit të festivalit mund ta shfrytëzojë edhe për aktivitete të tjera.

Përderisa Komuna e Prishtinës mund ta shfrytëzojë këtë pronë për evenimente të cilat nuk e tejkalojnë kapacitetin prej 3 mijë personave dhe nuk mund të organizojë festivale që i bëjnë konkurrencë “Sunny Hillit”. Po ashtu nuk mund të organizojë asnjë eveniment për të cilat paguhet hyrje (bileta) dhe që kanë qëllime tjera të përfitimit financiar.

Evenimentet që lejohen të organizohen nga Komuna janë ato të muzikës klasike, xhaz muzikës, Filharmonisë së Kosovës, si dhe mund të jetë nikoqir i orkestrave filharmonike nga mbarë bota.

Për çdo dëmtim të infrastrukturës, duke përfshirë edhe gjelbërimin, duhet të kompensohen nga komuna, si palë që merr në shfrytëzim pronën nga “Sunny Hill”.

Kjo u kundërshtua nga opozita gjatë seancës së Kuvendi Komunal, ku edhe u mor vendimi. Duke theksuar se nuk janë kundër festivalit “Sunny Hill”, ata kanë kërkuar ndryshimin e marrëveshjes së arritur.

Por kryetari Përparim Rama thotë se “Sunny Hill” ka pasur oferta edhe më të mira nga shtetet fqinje.

Kundër vendimit të Komunës së Prishtinës ka dalë “Termokiss” dhe qytetarët aktivë.
Përderisa këta të fundit kanë paralajmëruar protestë, “Termokiss” ka mbajtur një debat në të cilin kanë shprehur pakënaqësitë e tyre dhe vështirësitë që hasin për të marrë në shfrytëzim një tokë publike.

Pas miratimit në Kuvendin Komunal, ky vendim do të dërgohet për shqyrtim në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.