Arbëri

“Kërkesat e shumta” zgjatin afatin për konvertim të patentë shoferëve ilegalë në RKS

Xhelal Svecla

Foto: Alban Bujari

(E përditësuar 10:45) - Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, të enjten ka njoftuar se ka vendosur ta zgjasë afatin deri më 23 gusht për konvertimin e patentë shoferëve të lëshuar nga strukturat paralele serbe në Kosovë.

Sipas vendimit të Ministrisë së Brendshme, afati për konvertimin e patentë shoferëve ilegalë do të përfundonte më 9 gusht. Por për shkak të “kërkesave të shumta të qytetarëve” si dhe “kërkesën për zgjatje të afatit” nga Policia, Sveçla ka thënë se ka pasur konsideratë.

“Pas 23 gushtit, për të gjithë ata që nuk konvertojnë patentë shoferët, do të veprohet sipas legjislacionit përkatës në fuqi”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Deri më 7 gusht, 5588 serbë kanë aplikuar për t’i konvertuar patentë shoferët ilegalë në RKS.

Ministria e Punëve të Brendshme pati vendosur që nga 9 maji i këtij viti t’u lejojë serbëve t’i konvertojnë patentë shoferët ilegalë në RKS me disa lehtësira, pasi nuk do t’i nënshtrohen provimit për patentë shofer.

Procedura për pajisje me patentë shoferi të Republikës së Kosovës zgjat pesëmbëdhjetë ditë. Patentë shoferi i lëshuar nga strukturat serbe i kthehet aplikuesit si dokument i pavlefshëm dhe i njëjti pajiset me patentë shoferin e Republikës së Kosovës.


Kërkohet shtyrja e afatit për konvertim të patentë shoferëve ilegalë në RKS

(10:20) - Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se do të kërkojnë nga Ministria e Brendshme që ta shtyjë afatin për pesë apo dhjetë ditë për konvertimin e patentë shoferëve të lëshuar nga strukturat paralele serbe në Kosovë.

Sipas Elshanit, procesi deri tash ka shkuar mirë, por ka pasur disa probleme teknike.

“Ne kemi kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, që edhe tabelat edhe lejet e veturave të konvertohen dhe procesi i konvertimit të tabelave ka përfunduar, përderisa procesi i konvertimit të patentë shoferëve është duke u zhvilluar. I kemi disa probleme teknike dhe e shohim se njerëzit i kanë ato telashe. P.sh dikush e ka ndonjë problem teknik – ndalim të ngasjes për tre muaj, dhe ky ndalim shkon pas 9 gushtit. Ne do të shohim se a do të mund ta dërgojmë një kërkesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme që të na lejojë që kjo të zgjatet për pesë apo dhjetë ditë pune, për shkak të këtyre vështirësive”, ka thënë Elshani.

Sipas Policisë, deri tash 5588 serbë kanë aplikuar për t’i konvertuar patentë shoferët ilegalë në RKS.

Ministria e Punëve të Brendshme pati vendosur që nga 9 maji i këtij viti t’u lejojë serbëve t’i konvertojnë patentë shoferët ilegalë në RKS me disa lehtësira, pasi nuk do t’i nënshtrohen provimit për patentë shofer. Aplikimi do të jetë i hapur deri më 9 gusht (nesër).

Procedura për pajisje me patentë shoferi të Republikës së Kosovës zgjat pesëmbëdhjetë ditë. Patentë shoferi i lëshuar nga strukturat serbe i kthehet aplikuesit si dokument i pavlefshëm dhe i njëjti pajiset me patentë shoferin e Republikës së Kosovës.