Mbledhja e Kuvendit Komunal të Zveçanit po mbahet në një zyrë alternative në fshatin Lipë, ndonëse kryetari i Komunës, Ilir Peci, të hënën u vendos në objektin komunal për të vazhduar detyrën. Ai ka thënë se kjo seancë u mbajt në këtë zyre alternative për shkak se ishte ftuar një javë më parë, e seanca tjetër pritet të mbahet në objektin e Komunës.
Ai ka deklaruar se për një vjet qeverisje lokale janë arritur “70 për qind e kërkesave të qytetarëve të komunës”.
“Jemi në përfundim të kërkesave. Rregullimi i shtresave të rrugëve në tri fshatra, rregullimi i dy ambulantave, ndriçimi në fshatin Banjskë dhe tri fusha sportive në tri shkolla në Kelmend, Boletin dhe Zhazhë. Janë në përfundim e sipër tri rrugë në qendër të komunës së Zveçanit. Shpresoj që brenda një fati shumë të shkurtër kanë për të nisur punimet si në fshatrat shqiptare e edhe në fshatrat serbe”, ka deklaruar Peci.
Peci ka deklaruar një ditë më parë se detyrën e tij tash e tutje do ta kryejë në objektin komunal, duke u shprehur se është përkushtuar të punojë të mirë të të gjithë qytetarëve të Zveçanit.
Pas mbledhjes, Peci ka shkuar në objektin e Komunës.
Me Pecin është takuar zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri.
“Ne jemi duke vazhduar punën për të gjithë qytetarët. Besoj që edhe stafi do ta ketë lehtë" ka deklaruar Peci.
"Ju përgëzoj për këtë veprim të guximshëm. Nuk kam dyshim që do të vendosni një marrëdhënie shumë të shëndoshë me qytetarët. Prej kësaj godine e di që edhe qytetarët kanë me pas qasjen më të lehtë dhe bashkëpunimi institucional do të jetë në nivel më të lartë dhe më adekuat. Llogarisni në përkrahjen e nivelit qendror”, ka thënë Vokrri në takim me Pecin.