Fshati Lipë do të jetë adresa e re e Komunës së Zveçanit, nën drejtimin e kryetarit të ri, Ilir Peci. Kthimin në objektin e Komunës, Peci ia la në duar Qeverisë, derisa hezitoi të tregojë nëse në kabinetin e tij do të ketë edhe pjesëtarë nga komuniteti serb
Në Kullë nuk u lejua të betohej si kryetar i Zveçanit, megjithatë Ilir Peci bëri adresimin e parë afër saj, para varrit të heroit Isa Boletini.
Për konferencën e mbajtur të enjten nga Peci, pak pas betimit si kryetar, nuk ishte i njoftuar stërnipi i Boletinit, e fillimisht tha se ajo nuk do të mbahej aty. Megjithatë konferenca u mbajt.
Para varrit të Isa Boletinit, kryetari i ri u zotua se do të punojë njësoj për të gjithë.
“Unë posa mora postin si kryetar komune ju njoftoj se do të punoj për të gjithë, do të jem i barabartë për të gjithë do të jem i barabartë për të gjithë qytetarët e Komunës së Zveçanit…Zyrën e kemi në fshatin Lipë”, u shpreh ai.
Por njësoj nuk veproi me gazetarët. Ai refuzoi t’i përgjigjej pyetjes së bërë në serbisht se kur do ta ushtrojë detyrën nga objekti i Komunës në Zveçan.
Më pas tha se një gjë e tillë nuk i takon atij ta vendosë.
"Kjo nuk është çështje që varet prej meje, është Republika e Kosovës e cila ajo qysh të vendosë na patjetër...” deklaroi ai.
Kryetari i ri i Zveçanit nuk iu përgjigj as pyetjeve të shumta lidhur me zgjedhjen e nënkryetares së Komunës, kryesuesit të Kuvendit e as për emërimin eventual të serbëve në kabinetin e tij.
Më pas u njoftua se kryesuese e Kuvendit komunal është zgjedhur Selvete Kelmendi, por që as ajo nuk pranoi t’i përgjigjej interesimit të mediave të shumta.
Institucionet e reja komunale të Zveçanit u konstituan në shkollën “Isa Boletini” në fshatin Boletin, pasi autoritetet shtetërore nuk kanë qasje në objektet komunale në qendër.
Kryetari i ri i Zveçanit, në zgjedhjet e 23 prillit mori 114 vota nga 193 qytetarë sa votuan gjithsej.