Arbëri

41 zjarre të reja gjatë natës

zjarre

Foto: KFOR

Edhe 41 zjarre të reja janë raportuar gjatë natës së kaluar sipas të dhënave të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave (AME). 

Drejtorit të Agjencisë, Genc Metaj, ka thënë se ky numër është raportuar prej kur u bë evidentimi i fundit i tyre, të dielën në orën 20:00. 

Sipas tij zjarre aktive ka në 5 vende.

Nga këto zjarre janë prekur disa zona të Kosovës, prej së cilave më së rëndi Komuna e Klinës. 

Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, në një prononcim për KOHËN, ka theksuar se gjatë së dielës është djegur një shtëpi banimi, ka pasur djegie të stallave të bagëtive dhe janë raportuar dëme të shumta materiale nga qytetarët. Sipas Elezajt, situata me zjarre ka qenë më kritike në zonën mes fshatrat Siqevë, Dush, Resnik dhe Jelloc, në të cilën zonë zjarri vazhdon të jetë aktiv.

AME-së në ndihmë për shuarjen e zjarreve i kanë dalë edhe pjesëtarë të KFOR-it. 

Sipas një njoftimi të KFOR-it brenda dy orëve janë shpërndarë më shumë se 43 mijë litra ujë në zonat e prekura.

Të dielën në mbrëmje AME-ja ka njoftuar se nga ora 14:00 deri në orën 20:00 janë raportuar gjithsej 80 vatra zjarri në Kosovë.