Arbëri

Miratohen shtesat e rrezikshmërisë për policët elitarë

Descriptive Text

Qeveria e Kosovës ka miratuar shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Në mbledhjen e mbajtur të enjten, Qeveria ka miratuar shtesat të cilat ishin prezantuar nga kryeministri Albin Kurti, në fund të muajit të kaluar.

Të enjten para miratimit të këtyre shtesave kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje nga takimi i së mërkurës me pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese.

Ai ka thënë se kanë diskutuar gjatë për kërkesat e tyre, porse ka insistuar se kategorizimi dhe vlera e shtesave, me të cilat ata nuk janë pajtuar, është bërë me kujdes të shtuar, duke mos treguar nëse është arritur marrëveshje.

Tutje ka njoftuar se shtesat për rrezikshmëri do të fillojnë implementimin nga muaji nëntor.

“Dje kishim takim me pjesëtarë të NJSI-së me të cilët diskutuam gjatë për kërkesat e tyre, në takim i njoftuam dhe siguruam ata që kategorizimi dhe vlera e shtesave është bërë me kujdes të shtuar. Jemi dhe do të vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar me përmirësimin e kushteve për Policinë e Kosovës. Ky përkushtim reflektohet edhe në projektbuxhetin e MPB-së. Shtesa për rrezikshmëri do të fillojë të implementohet nga muaji nëntor”, ka thënë ai.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se komisioni për kushte specifike të punës ka dorëzuar listat përfundimtare.

“Me ligjin për paga të sektorit publik ekzistojnë edhe kufizime sa i përket shtesave. Shtesat e miratuara janë në lartësi 7.6 milionë euro. Konsiderojmë që është bërë një punë e jashtëzakonshme në mënyrë që të sigurohemi që ka shpërndarje të drejtë”, ka thënë ai.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për ndryshmin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative.

Gjithashtu është miratuar propozimvendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë të datës 9 mars 2022 për emërimin e Bordit të drejtorëve të kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidromorava”, Sh. A. Gjilan.

Qeveria ka miratuar edhe propozimvendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme ish-shoqërore “P. Shy IGK Ballkan”, njësia Damper, (ish-kampi “Casablanka”), për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjithashtu është miratuar edhe propozimvendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit vjetor 2023 për rezervat shtetërore të mallrave.

Diskutimi për këtë pikës është mbajtur i mbyllur. Kryeministri Kurti ka deklaruar se Qeveria ka ndërmarrë reforma dhe ka siguruar buxhet shtesë. Sipas tij, qeveritë e kaluara kanë bërë planifikim të varfër për sigurimin e rezervave shtetërore.

“Kemi ndërmarrë një sërë reformash. Politikat tona janë reflektuar përmes plotësim ndryshimit të ligjeve duke siguruar kështu standard i caktuar minimal për avancimin e politikave. Ndër këto kemi siguruar edhe buxhet shtesë dukshëm më të lartë në krahasim me planifikimin e varfër të qeverive paraprake, për sigurimin e rezervave shtetërore. Buxheti i këtillë ka reflektuar edhe në kuptim të ndryshimit të programit vjetor të rezervave shtetërore të mallrave në dritën e këshillave në institucionet përgjegjëse të sigurisë të dhëna të këtilla nuk do të bëhen publike”, është shprehur Kurti.

Zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla gjatë mbledhjes ka propozuar blerjen e objektit të konsullatës në Strasburg të Francës. Ky propozim është miratuar.