Arbëri

Osmani për modelet evropiane për pakicat: Më i miri ai që ka aktualisht Kosova

Foto: Alban Bujari / KOHA
 

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se modeli i respektimit të të drejtave të pakicave në Kosovë, është më i mirë se të gjitha modelet që janë përmendur nga emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Osmani ka thënë se Kosova është e gatshme t’i diskutojë elementet evropiane, por jo që shkelin Kushtetutën e vendit.

Në një deklarim për media, pas diskutimit “Barazia, Barabarësia dhe Drejtësia” në kuadër të Javës së Gruas të martën, Osmani ka thënë se nuk pret që Serbia të ndryshojë në dialogun me Kosovën. Sipas saj, Serbia kontribut të vetëm në këtë proces e ka pasur vënien e pengesave. Ajo ka thënë se pret që faktori ndërkombëtar të bëjë presion mbi Serbinë, që ta bindë që “takimi i Ohrit është jashtëzakonisht i rëndësishëm e që nëpërmjet kësaj marrëveshje të zgjidhen shumë çështje që hapin rrugë drejt njohjes reciproke”.