LAJMET E MBRËMJES

Kurti optimist për dakordim, Osmani thotë se modeli i pakicave në Kosovë më i mirë se propozimet

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se plani i zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi mbase nuk duhet që të diskutohet vetëm në Ohër.

Duke folur para gazetarëve, pas edicionit të dhjetë të “Javës së gruas”, Kurti është shprehur optimist për një dakordim mes palëve në takimin e 18 marsit në Maqedoninë e Veriut.

Takimi në Ohër do të mbahet rreth diskutimit të udhërrëfyesit për zbatimin e planit, për përmbajtjen e të cilin palët kanë arritur pajtim në parim gjatë bisedimeve të 27 shkurtit në Bruksel.

“Ne e dimë qëndrimin e Serbisë, por unë duhet t’i referohem asaj që jemi marrë vesh. Plani i zbatimit duhet të negociohet në Ohër, e mbase jo vetëm në Ohër... Unë jam optimist, mirëpo tash se a do të ketë sukses a nuk do të ketë sukses, ju e dini shumë mirë që nuk varet vetëm prej meje. Unë kam ofruar që edhe më 27 shkurt në Bruksel ta nënshkruajmë propozimin e Bashkimit Evropian, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme e as e interesuar”, tha Kurti.

Kurti ka bërë zotimin për konstruktivitet në takim. Këtë zotim e dha edhe presidentja Vjosa Osmani, porse ka theksuar që nuk ka pritje të mëdha nga pala serbe.

“Shpresa ime është që komuniteti ndërkombëtar do të fokusohet me një presion në raport me Serbinë në mënyrë që të bindet edhe Serbia që data 18 mars, pra takimi në Ohër, është një momentum jashtëzakonisht i rëndësishëm në procesin e dialogut, në mënyrë që nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, së bashku me një plan zbatimi, të zgjidhen shumë çështje të cilat pastaj edhe e hapin rrugën drejt njohjes reciproke”, tha Osmani.

Përkitazi me insistimin e Serbisë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, presidentja Osmani ka vlerësuar se modeli i respektimit të të drejtave të pakicave në Kosovë është më i mirë sesa ata që janë përmendur nga emisari evropian, Miroslav Lajçak, në kuadër të dialogut.

“Ne i kemi analizuar të gjitha këto modele dhe natyrisht ka elemente që mund të merren prej secilës prej tyre, por unë do të thosha sërish që modeli më i mirë, shumë më i mirë se të gjitha ato 15, është modeli aktual që ka Republika e Kosovës”, tha Osmani.

Emisari Lajçak gjatë javës së shkuar ka qëndruar për vizitë në Kosovë, me ç’rast ka marrë qëndrimet e përfaqësuesve institucionalë dhe atyre të opozitës rreth rrugës së implementimit të planit evropian. E pas Kosovës ai ka vizituar edhe Serbinë.