Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj së bashku me drejtorin e Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi kanë vizituar të mërkurën Gjykatën Themelore në Mitrovicë, me ç’rast janë takuar me nënkryetarin e kësaj gjykate, Bekim Veliqi, gjyqtarët, administratoren dhe stafin administrativ, ku diskutuan për organizimin dhe mbarëvajtjen e punës pa ndërprerje në situatën aktuale.
Në komunikatë për media thuhet se Zogaj me Maliqi u siguruan nga nënkryetari Veliqi dhe administratorja, se gjykata është duke ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për organizmin e procesit të punës në pajtim me aktet ligjore në fuqi.
“Zogaj siguroi se Këshilli është i vendosur për ofrimin e gjithë mbështetjes së nevojshme me qëllim që Gjykata Themelore në Mitrovicë të funksionojë edhe në rrethanat aktuale për ofrimin e shërbimeve për qytetarët”, thuhet në njoftim.
Gjyqtarët dhe stafi administrativ serbë të hënën kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.
Dorëheqjet i kanë dorëzuar edhe prokurorët serbë.
Largimi ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.